Mustafa do të jep sqarim në Kuvend për dorëheqjen e Smakajt

Departamenti i verifikimit i cili për momentin funksionon në kuadër të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, pritet që të bëhet agjencion i pavarur në kuadër të Qeverisë.

Lajme

03/03/2015 13:30

Kështu bëri të ditur të martën kryetari i komisionit për AKI-në në Kuvendin e Kosovës, Haxhi Shala, në komisionin e të cilit raportoi drejtori i AKI-së Agron Selimaj lidhur me zhvillimet brenda agjencisë, sfidat dhe ndërrimin e stafit.

“Tre zyrtarë të lartë janë emëruar të rinj. Ka qenë zëvendësdrejtori, është ndërruar Muharremi (Ajeti) me Latifin (Merovcin) që ka qenë më përpara si zëvendësdrejtor në AKI dhe inspektori i përgjithshëm që unë nuk e njoh personalisht”, ka thënë Haxhi Shala pas përfundimit të takimit në komision, i cili ka qenë i mbyllur për media.

Shala ka treguar se sfidë të cilën shefi i AKI-së, Selimaj, e ka bërë të ditur para komisionit, ka qenë largimi i departamentit të verifikimit i cili sot është brenda AKI-së por që mendohet të jetë agjenci e pavarur në kuadër të Qeverisë.

“Kjo është sfida me të cilen agjencia duhet të merret shumë shpejtë, kur edhe komisioni do ta mbështesë këtë iniciativë”, tha ai.

Duke folur rreth skandaleve në këtë agjenci, kryetari i komisionit tha se drejtori veçse është duke u marrë me skandalet e mëparshme në AKI, pa dhënë detaje lidhur me këtë.

“Drejtori veç është duke u marrë me të gjitha skandalet që kanë qenë në AKI, por, njëkohësisht ka njoftuar se shumë shpejt do të ketë edhe një ueb-sajt të AKI-së, ku mund të informohen edhe gazetarët”.

Lidhur me dorëheqjen e Bashkim Smakajt nga AKI, Shala thotë se do ta pyesin në seancë parlamentare kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafën, nga i cili do të kërkojnë sqarim.

“Në seancën parlamentare të radhës do të kemi pyetje për kryeministrin, do të kërkojmë sqarim nga ai para deputetëve dhe qytetarëve të Kosovës për dorëheqjen e Smakajt dhe dorëheqjen edhe të zëvendësdrejtorit dhe zhvillimet e fundit”.

I emëruari së fundmi si zëvendësdrejtor në AKI, Latif Merovci, i cili edhe më herët ka qenë në të njëjtën pozitë, tha se do të jetë i vetmi zëvendësdrejtor dhe se një të tillë nuk do të ketë edhe nga komuniteti serb.

 

 

YouTube player