Mustafa: Dje ishte një ditë e rëndësishme, ‘Trepça’ na bashkoi të gjithëve

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, duke e komentuar votimin e ligjit për Trepçën, thotë se ky kombinat i ka bashkuar të gjithë, ata që e përkrahën, por edhe ata që nuk e përkrahën ligjin.

Lajme

08/10/2016 13:10

“Dje kaluam një ditë të rëndësishme destinuar Trepçës dhe ardhmërisë së saj. Aprovuam një ndër ligjet më të mira në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Ligjin e Trepçës. Trepça na bashkoi të gjithëve, ata që e përkrahën, por edhe ata që nuk e përkrahën ligjin. Një kontribut shumë të mbarë e dhanë edhe deputetët e AAK-së dhe të Nismës.

Mustafa i ka përmendur edhe deputetët ë Listës Serbe që refuzuan ta votojnë këtë ligj.

“Aty ishin edhe deputetët e Listës Serbe, të cilët e shfrytëzuan të drejtën e tyre të prezantojnë qëndrimet për Ligjin në një proces demokratik.

E përgëzoj Kuvendin, i cili 17 vjet pas çlirimit arriti, që së bashku me Qeverinë, t’i jap drejtimin e duhur zhvillimit të Trepçës”, shkruan Mustafa.

Ai vlerëson se akoma nuk janë përfunduar të gjitha punët e shtetndërtimit tonë, prandaj na nevojitet një bashkëpunim dhe unitet më i lartë për tema që janë në interes të të gjithëve./Lajmi.net