Mustafa: Brenga jonë, liberalizimi i vizave

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, hapi konferencën e tretë ndërkombëtare “Germia Hill”, e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, së bashku me institutin me renome botërore, Aspen Institute, që zhvillon punimet nga data 2 deri më 3 shkurt 2016.

Lajme

02/02/2016 18:00

Duke iu dëshiruar mirëseardhje në Kosovë të pranishmëve të shumtë në këtë konferencë tradicionale të diplomacisë kosovare, kryeministri Mustafa tha se “Germia Hill” ka për qëllim që të jap kontribut thelbësor për temat që preokupojnë dhe angazhojnë diplomacinë dhe kancelaritë evropiane.

Duke u ndërlidhur me faktin se sivjet më shumë se kurrë fokusi i opinionit ndërkombëtar kanë qenë çështjet e sigurisë, kryeministri Isa Mustafa tha se Kosova është një vend stabil, është vend i paqes, vend i komunikimit dhe bashkëpunimit të ngushtë mes komuniteteve tona, por edhe me fqinjët e saj.

“Kosova kurrë nuk ka qenë më shumë e ndërlidhur me familjen evropiane sesa që është tani. Ne kemi nënshkruar marrëveshjen tonë të parë kontraktuale me Bashkimin Evropian dhe me këtë Kosova është bërë një faktor i zhvillimit, faktor stabiliteti, faktor i dialogut me fqinjët, kontribuues i sigurisë dhe paqes në Ballkanin Perëndimor”, tha kryeministri Isa Mustafa.

Mustafa përmendi faktin se Kosova ka punuar shumë në riatdhesimin e qytetarëve.

Ai tha se një çështje që e preokupon atë është izolimi i qytetarëve, duke shtuar se ai pret që shumë shpejt BE-ja të heq regjimin e vizave.

“Ajo që neve na brengos është se vetëm qytetarët aktualisht janë të izoluar nga mundësia e qarkullimit të lirë në vendet e Bashkimit Evropian për shkak të regjimit të vizave”.

“Ndërkaq kemi punuar shumë që të përmbushim kriteret dhe besojmë se Bashkimi Evropian së shpejti do të merr vendim për të rekomanduar liberalizimin e vizave për vendin tonë, në mënyrë që qytetarët tanë të udhëtojnë pa viza në Zonën Schengen”, tha Mustafa./lajmi.net