Mustafa: Beteja e Koshares borxh i yni për punë

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, ka marrë pjesë në akademinë përkujtimore kushtuar përvjetorit të betejës së Koshares, duke e cilësuar 9 prillin si datën më të rëndësishme dhe me të veçantë në kalendarin e historisë së luftës çlirimtare të Kosovës.

Lajme

09/04/2015 13:11

Mustafa ka vlerësuar lartë veprën e dëshmorëve dhe martirëve të kësaj beteje. Ai ka thënë se kjo është një ndër fitoret më të rëndësishme të UÇK-së.

“Atë ditë forcat pushtuese kuptuan se luftën e kishin humbur. Heqja me luftë e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë me 9 prill 1999…shënon një prej fitoreve më domethënëse të UÇK-së. Në Koshare, jo vetëm që u thyen forcat serbe, por shkulen edhe kufirin që na ndau gjysmë shekulli”, tha Mustafa.

Për Mustafën beteja e Koshares paraqet inspirim për të gjithë zyrtarët e shtetit dhe institucionet që të punojnë më shumë.

“Ne si qytetarë dhe institucione ua kemi borxh atyre që të punojmë me tërë dijen dhe përkushtimin tonë që tua jetësojmë ëndrrat e tyre. Ky vend ka merituar kaherë kujtesën e republikës së Institucioneve të Kosovës”, tha kryeministri Mustafa gjatë kësaj akademie.

Ai ka thënë se shumë shpejt pritet të përfundojë edhe projekti për ndërtimin e memorialit në këtë vend dhe se ky kjo do të përfundojë gjatë mandatit të tij si kryeministër.

“Ky vend do të duket ndryshe dhe do ta merr formën që e meriton në emër të dëshmorëve dhe të gjitha atyre heronjve që luftuan këtu”, tha në fund Mustafa./KosovaPress/