Muslimanët në rajon falin namazin e Fitër e Bajramit

Besimtarë të shumtë janë mbledhur së bashku në xhamitë në kryeqytetet Shkup, Tiranë dhe Prishtinë, por edhe në qytete tjera të këtyre vendeve për të falur namazin e Fitër e Bajramit.

Lajme

04/06/2019 08:16

Shkup/Prishtinë/Tiranë

Mijëra muslimanë në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe Kosovë janë drejtuar xhamive dhe shesheve për të marrë pjesë në lutjet dhe faljen e namazit të Fitër Bajramit, që është një nga festat më të mëdha të fesë Islame.

Besimtarë të shumtë janë mbledhur së bashku në xhamitë në kryeqytetet Shkup, Tiranë dhe Prishtinë, por edhe në qytete tjera të këtyre vendeve për të falur namazin e Fitër e Bajramit, ku merrnin pjesë edhe klerikët muslimanë, por edhe personalitete të fushave të ndryshme.

Manifestimi qendror në Shkup u mbajt në xhaminë Mustafë Pasha, ku për shkak të numrit të madh të besimtarëve të pranishëm, përveç hapësirës së brendshme të xhamisë u mbush me besimtarë edhe oborri i xhamisë.

Në programin e organizuar nga ana e Bashkësisë Fetare Islame (BFI) të Maqedonisë së Veriut, para namazin u kënduan ilahi në gjuhën shqipe, turke dhe boshnjake.

Kreu i BFI-së, Sulejman Rexhepi, në mesazhin e tij para besimtarëve porositi që të solidarizohen me ata që kanë nevoj.

“E lus Allahun Fuqiplotë, për hatër të Fitër Bajramit, që të gjithë muslimanët sot me kënaqësi e festojnë në botë, Allahu të na ndihmojë, të na përkrah dhe e gjithë mëshira dhe ndihma e tij të jetë me ne”, tha Rexhepi.

Po ashtu edhe në Prishtinë, xhamia qendrore “Sulltan Mehmet Fatih” mblodhi një numër të madh besimtarësh, raporton Anadolu Agency.

Hutben e Fitër Bajramit në këtë xhami e mbajti kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava. Ai ftoi për unitet më të madh.

“Ftoj për unitet edhe më të fort mes nesh. Për një unitet edhe më të madh politik kur është në pyetje ardhmëria e vendit tonë, e vatanit tonë. Për një mirëkuptim dhe besim edhe më të madh ndërfetar me të tjerët, të cilat janë pasuritë më të çmuara të kombit dhe të fesë tonë”, tha Tërnava.

Ndërkaq, në Tiranë manifestimi qendror për faljen e namazit të Fitër Bajramit është mbajtur në Sheshin “Skënderbej”, me pjesëmarrjen e mijërave besimtarëve dhe personaliteteve të ndryshme.

Namazi është falur edhe në xhamitë në të gjithë Shqipërinë, duke u mbledhur së bashku besimtarët.

Fitër Bajrami është festa e cila festohet pas mbarimit të muajit të Ramazanit. Muslimanët para ditës së Bajramit shpërndajnë lëmoshë dhe solidarizohet me të varfrit për ta festuar së bashku këtë festë. Siç edhe është traditë, pas faljes së namazit të Fitër Bajramit besimtarët muslimanë vazhdojnë festimet në shtëpitë e tyre, duke shkëmbyer vizita mes të afërmeve.