Mushkolaj: Nëse konfirmohet aktakuza ndaj Thaçit, PDK merr presidentin ndërsa LDK mban kryeministrin

Analisti politik, Imer Mushkolaj, thotë se PDK-ja mund të jetë pjesë e një qeverie me bazë më të gjerë ndërsa Vetëvendosjen nuk e sheh pjesë të ekzekutivit në asnjë kombinacion me subjektet tjera në këtë legjislacion.

Lajme

02/07/2020 21:17

Mushkolaj në RTV Dukagjini ka thënë se pavarësisht nëse konfirmohet apo jo aktakuza ndaj presidentit Hashim Thaçi ky i fundit vështirë se do ta përfaqëson Kosovën në arenën ndërkombëtare.

Ai thotë se as qeveria aktuale nuk ka pasur stabilitetin në aspektin e  numrave apo vendimmarrjes.

“Logjika thotë se PDK do të duhej të përfshihej në qeverinë e re me idenë se në të ardhmen do të përfshiheshin në zgjidhjen e presidentit, kushtimisht nëse konfirmohet aktakuza ndaj Thaçit. Në atë rast PDK-së do t’i takonte presidenti, LDK-së kryeministri dhe do të mund të bëhet ekipi i bisedimeve”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Analisti thotë se vështirë se Vetëvendosje do të përfshihej në ndonjë qeverie gjithëpërfshirëse.

“Nuk shoh mundësi se LVV do të behët pjesë e qeverisë dhe fokusi është te PDK-ja”.

Megjithatë Mushkolaj thotë se konfirmimi apo jo i aktakuzës ndaj Presidentit Thaçi do të determinojë proceset politike në Kosovë.