Mushkolaj: Blloku dha shpresa të rreme, por pësoi debakël

Opinionisti, Imer Mushkolaj duke folur për klimën e re politike brenda Bllokut LAN, tha partitë brenda këtij koalicioni i dhanë qytetarëve shpresa të rreme, duke u premtuar qeverisje më të mirë se ajo e PDK-së, por tani ata sipas tij pësuan debakël politik.

Lajme

31/10/2014 20:07

Mushkolaj mendon se Blloku nëse jo në fillim, më pas e ka kuptuar që marrëveshja ishte e pazbatueshme.

“Papërgjegjësi është më e pakta që mund të thuhet se është. Në fakt nuk është puna se pse tash e morën vesh, pas pesë muajve. Por natyrisht se ata e kanë pasur të ditur, nëse jo në fillim kur e kanë arritur marrëveshjen, me zhvillimet që kanë ardhur më pas, e kanë shumë të vështirë që ta zbatojnë në praktikë”.

Ndarja e posteve në marrëveshjen e 10 qershorit, sipas Mushkolajt, ishte gabimi më i madh i LAN-it.

“E gabimi më i madh i tyre është se ata në letër i ndanë postet, dhe u krijua përshtypja se kjo u kry. Ata do të mund që të bisedonin mes tyre për këto çështje dhe të mos betonoheshin, dhe në këtë kuptim do të ishte më e lehtë zgjidhja”, vlerëson Mushkolaj.

Sipas tij, vendimi i LDK-së për të hequr dorë nga posti i kryeministrit, ishte një sjellje jo dinjitoze e Mustafës dhe krerëve të LDK-së, për shkak se votuesit e votuan atë për kryeministër.

Sipas tij, edhe nëse kjo ndodh, atëherë të gjitha shpresat dhe premtimet e qytetarëve për një qeverisje më të mirë, bien në ujë, transmeton indeksonline.

“Unë besoj që kjo do të ju hakmerret politikisht partive të bllokut, mu për shkak se ata krijuan (po hamësndësojmë nëse ndodh një gjë e tillë), gjatë gjithë këtyre muajve një shpresë te simpatizantët e partive të tyre dhe në përgjithësi te qytetarët e Kosovës se mund ta bëjnë një ndryshim i cili do të ishte si qeverisje nga ajo e pasardhësit të z.Thaçit. Dhe nëse donë që tani për arsye të tjera, marrëveshja të ndryshohet, bien në ujë premtimet që u dhanë qytetarëve e njëkohësisht shuhen shpresat e tyre që qeverisja e Bllokut të jetë më e mirë se ajo e PDK-së”. 

Blloku për këtë kohë sa e ka mbajtur të bllokuar edhe vendin, sipas Mushkolajt në fund ka pësuar një debakël politik.

“Vërtetë është një papërgjegjësi, është një debakël politik i këtyre liderëve dhe i këtyre partive politike të cilët mbajtën peng për pesë muaj rresht qytetarët e Kosovës dhe u ushqyen me shpresat e rreme se ndryshimi do të ndodhë”, ka thënë ai.