Murat Mehës i trefishohet paga, blen dy parcela tokë

Murat Meha, i cili është kritikuar më së shumti për humbjen e mijëra hektarëve tok të Kosovës gjatë Demarkacionit me Malin e Zi, e ka rritur këtë verë pasurinë e tij me dy parcela tokë.

Lajme

09/06/2016 07:51

Shefi i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, sipas formularëve të deklarimit të pasurisë, në vitin 2015 ka deklaruar pagë vjetore prej 5770 euro, ndërkaq sivjet paga e tij është rritur në 16200 euro, apo rreth 10500 më tepër sesa një vit më parë, shkruan zëri.

Po ashtu, bazuar në formularët e deklarimit të pasurisë për vitin 2016, krahas një viti më parë, Meha i ka deklaruar edhe dy parcela të reja toke prej rreth 3 ari, të cilat i ka vlerësuar rreth 50 mijë euro.

Shënjimi i vijës kufitare me malin e Zi nga Komisioni Qeveritar, të cilin e ka udhëhequr Murat Meha, ka nxitur protesta masive në vend gjatë vitit të fundit nga opozita, e cila ka akuzuar Qeverinë për humbjen e një pjese prej 8 mijë hektarësh gjatë Demarkacionit me Malin e Zi.

Meha tashmë është duke u hetuar nga Prokuroria me dyshimin se ka kryer veprën penale mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë si zyrtar i shtetit. Zyra për marrëdhënie me publikun e Prokurorisë së Shtetit ka bërë të ditur për Zërin se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet ndaj Mehës për shkak të fshehjes dhe deklarimit të rrejshëm të pasurisë.