MUP’ovcat “pushtojnë” Policinë

Policia e Kosovës tashmë ka akomoduar 248 ish-pjesëtarë të MUP'it nga rreth 300 sa kishin kërkuar zyrtarët serbë. Procesi thonë se po shkon mirë, por MPB nuk jep informata si po shkojnë punët.

Lajme

08/03/2014 07:13

Marrëveshja e 19 prillit 2013, në Bruksel, mes dy kryeministrave Thaçi-Daçiq për integrimin e policëve të MUP’it, ka bërë që Policia e Kosovës të “pushtohet” nga policët e Daçiqit që me vite të tëra punon “ilegalisht” për Serbinë brenda Kosovës, shkruan gazeta “Zëri”.

Integrimi i ish-policëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP) po arrin fazën finale. Tashmë 284 ish-pjesëtarë të MUP’it kanë ndërruar uniformën dhe janë bërë pjesë e Policisë së Kosovës, duke rritur dukshëm përqindjen e policëve serbë.

Krejt kjo është rezultat i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me të cilën, sipas nënkryetarit të Komisionit për Punë të Brendshme, Rexhep Selimi, është bërë shkelje e Ligjit mbi Policinë dhe shkelje e pjesëve integrale të Kushtetutës.

Të gjitha të tjerat që rrjedhin pastaj “janë në shërbim të asaj fryme, e cila nuk ka të bëjë as em respektimin e zinxhirit komandues të policisë e as me respektimin e institucioneve legale në Kosovë, thotë ai.

“Madje hyrja e ish-pjesëtarëve të MUP’it në Policinë e Kosovës nuk është integrim por përkundrazi, është “kali i Trojës” brenda Policisë”, thotë Selimi duke theksuar se edhe procedura e futjes së tyre në Polici është krejtësisht e veçantë dhe jashtë procedurave normale të rekrutimit, shkruan “Zëri”.