MUP’i s’është gati
Serbia nuk i ka dorëzuar ende listat e pjesëtarëve të MUP’it, të cilët pritet të përfshihen në Policinë e Kosovës, sipas marrëveshjes së Brukselit të 19 prillit të këtij viti.
Lajme
Kanë kaluar dy javë që kur ka kaluar afati për dorëzimin e listave të pjesëtarëve të MUP’it nga ana e Beogradit. Afati i fundit ka qenë 16 shtatori kur është dashur që të dorëzohen listat me pjesëtarët serbë që duan të integrohen në Policinë e Kosovës.
Kryetari i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri, Ahmet Isufi, pas mbledhjes së këtij komisionit, kërkoi që bëhet verifikimi i të gjithë atyre të cilët mund të integrohen në institucionet e sigurisë në Kosovë.
“Kemi të bëjmë edhe me sigurinë e qytetarëve në pjesën veriore të Kosovës, prandaj çdo vendim duhet të jetë institucional në bazën ligjore duke garantuar siguri për qytetarët”.
“Jo vetëm në këtë rast, por ne kemi edhe marrëveshjet tjera të cilat nuk po i zbaton Serbia dhe po tregon se nuk është e gatshme të jetë funksionale, në bazë të marrëveshjeve të arritura”.
“Është obligim i garantuesit, në këtë rast i Bashkimit Europian, që t`i bëjë presion Serbisë që t`i dorëzojë listat dhe të bëhet verifikimi sa më i shpejtë i atyre pjesëtarëve të cilët në të vërtetë mund t`i shërbejnë edhe qytetarëve të vet”.
Marrëveshja për integrimin e pjesëtarëve të MUP’it në Policinë e Kosovës rrjedh nga marrëveshja e 19 prillit e arritur në Bruksel në mes të Kryeministrit Thaçi dhe Kryeministrit serb Ivica Dacic.
Deputeti i PDK’së, Fatmir Xhelili, pohon se procest e rëndësishme të kësaj natyre nuk duhet të lidhem me data.
“Ky është proces domethënës. Fillimisht duhet të shihet si proces i rëndësishëm. Normalisht që datat si proces, nganjëherë mund edhe të ndryshojnë, me apo pa dashje”.
“Duhet të jemi tolerantë dhe të mos lidhemi shumë për data”
Në anën tjetër, Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, deklaroi se verifikimi i pjesëtarëve të MUP’it tashmë është bërë, por jo nga Institucionet e Kosovës.
“I gjithë problemi është se këta policë nuk i shërbejnë Institucioneve të Kosovës. Ata i shërbejnë institucioneve, të cilët e kanë bërë verifikimin e tyre e ndaj të cilave ata kanë lojalitet”.