MUP po legalizohet në Kosovë

Rexhep Selimi thotë se aktakuza e ngritur nga EULEX për policët e njësisë speciale është me prapavijë politike dhe etnike. Ai shton se MUP’i nuk po integrohet por po sistemohet brenda institucioneve të Kosovës.

Lajme

14/12/2013 13:51

Aktakuzat e ngritura nga EULEX ndaj 11 pjesëtarëve të Njësisë për Operacione Speciale, të Policisë së Kosovës, sipas vetëvendosjes janë të padrejta dhe të ngritura mbi baza etnike dhe politike.

Ditë më parë nga EULEX ngriti aktakuzë ndaj 11 pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për keqtrajtim gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi thotë se EULEX ka ngritur aktakuzë ndaj atyre që kryen punën e tyre.

“Prokurorët ndërkombëtarë të EULEX’it janë dalë në mbrojtje të 10 të ashtuquajturve të burgosurve serbë, duke marrë masa të panevojshme dhe të padrejta, ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët atë ditë po e kryenin detyrën e vet, madje mund të them se po e kryenin një pjesë të detyrës së vet, e cila u ishte dhënë atyre”.

“Më tutje thuhet se hetimet janë kryer një ekip i përbashkët i hetuesve nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe i Policisë së EULEX’it. Këtë e demanton kryeshefi i Inspektoratit të Policisë së Kosovës, i cili në një email adresuar Administratës së Kuvendit, Administratës për punë dhe Siguri dhe mbikëqyrje të FSK’së thotë se “Siç kemi cekur edhe në dëgjimin publik, Inspektorati Policor nuk ka zhvilluar hetime për këtë rast”.

Aktakuza është ngritur, për shkak se më 7 janar të këtij viti,  pjesëtarët e njësisë ROSU kishte arrestuar truprojat e Aleksandar Vulin. Selimi thotë se policët e Kosovës duhet të motivohen për punën e tyre e jo të akuzohen.

Ai thotë se kjo aktakuzë ka prapavijë politike dhe etnike.

“Në vend që të liheshin të vazhdojnë policët në kryerjen e detyrës së vet, pikërisht nga Inspektorati i Policisë së Kosovës ju rekomandua Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës, për suspendimin e tyre. Kur u pyet Inspektori pse ka marrë këtë vendim, ai nuk e fshehu ndërhyrjen e EULEX’it, edhe pse nuk ishte bërë asnjë hetim paraprak”.

“Këtë aktakuzë Lëvizja Vetëvendosje e konsideron si të padrejtë, dhe gjithsesi e konsideron si të motivuar mbi baza politike dhe etnike”.

“Po shihet qartë që edhe EULEX, edhe Qeveria e Kosovës, në këtë rast Ministria e Punëve të Brendshme, po përdorë standarde të dyfishta- pra varësisht se kush është në objektiv, shqiptarët apo janë serbët”.

Selimi thotë se pjesëtarët e MUP’it nuk po integrohen në PK, por ata po sistemohen- anipse ata akoma nuk e njohin shtetësinë e Kosovës.

“MUP’i nuk po shpërbëhet por po sistemohet në Kosovë, si rezultat i marrëveshjeve në Bruksel”.

“Këta pjesëtarë të MUP’it janë futur në Policinë e Kosovës edhe pa konkurs ndërsa lista përfundimtare po bëhet në Bruksel. Kjo listë nuk po bëhet nga Policia e Kosovës por nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë”.

“Ky nuk është një integrim i serbëve por është një legalizimin i MPB’së së Serbisë dhe MUP’it”.

Deputeti, Rexhep Selimi thotë se në vend që të arrestohen ata që kanë hedhur plumba nga Policisë së Kosovës, ata po futen në këtë institucion si anëtarë të saj.