Mungon përvoja – Barcelona dominon Betisin, por mposhtet në ‘Camp Nou’

18:10 | 4 Dhjetor 2021

Barcelona ka pësuar humbjen e parë nën urdhrat e Xavi Hernandez.

Skuadra e Barcelonës është mposhtur në shtëpinë e saj në ‘Camp Nou’, me rezultatin minimal 0:1, shkruan lajmi.net. Kjo ishte humbja e parë e katalanëve nën urdhrat e trajnerit spanjoll, Xavi Hernandez.

Barca bëri në përgjithësi një lojë më të mirë sesa Betisi, por përvoja e lojtarëve për të vulosur fatin e takimit mungoi.

‘Blaugranat’ humbën Gavin qysh në minutën e 36’ të ndeshjes, pasi lojtari nuk ndihej mirë pasi pranoi një goditje në fytyrë.

Goli i vetëm i ndeshjes u shënua në minutën e 79’ nga Juanmi, duke bërë që tri pikët të shkojnë në Andaluzi, me skuadrën e Betis.

Mundësi të mira shënimi pati edhe Ousmane Dembele, por dy goditje të tij përfunduan shumë afër shtyllës.

Me humbjen e parë nën urdhrat e Xavi, Barcelona mbetet me 23 pikë, derisa Betisi shkon në 30 pikë për pozitën e tretë. /Lajmi.net/