Mungon bashkëpunimi BIK, institucione dhe media për parandalimin e ekstremizmit
Që të ketë parandalim të ekstremizmit të dhunshëm, duhet të ketë një informim më të mirë nga mediat, më hulumtues, e më gjithëpërfshirës. Ndërsa për luftimin e rrymave radikale në vend, po mungon koordinimi në mes të Bashkësisë Islame në Kosovë (BIK), mediave dhe institucioneve qendrore.

Lajme
Kështu u tha në diskutimin e organizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, me temën “ Roli i mediave në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë”.
Drejtori i kësaj qendre, Florian Qehaja, tha se roli i mediave është esencial në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, dhe sipas tij mediat duhet të kenë kujdes kur të plasojnë një lajm lidhur me këto çështje, që ai së pari të jetë i verifikuar.
“Në Kosovë tendencat për ekstremizëm të dhunshëm fatkeqësisht kanë ndërlidhjet apo referencën në islam, keqpërdorimin e islamit si mjetë prandaj kemi raste kur deri në 300 qytetarë kanë shkuar në vitin 2012 në luftërat e huaja në Siri dhe Irak … Kur flasim për rolin e medieve ne mendojmë që pavarësisht se mediet po luajnë rol konstruktiv në anën tjetër është mirë se çdo informacion i cili jepet sipas mundësive të verifikohet dhe si rrjedhojë të mos kemi një tej theksim të një rasti të caktuam”, tha Qehaja.
Ndërsa, Skender Perteshi, poashtu nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, i cili ka marrë pjesë në debatet e organizuar në Mitrovicë dhe Vushtrri lidhur me këtë temë tha se nga debatet e zhvilluara është kuptuar se ka një dallim të madh në mes të komunitetit islam, mediave dhe institucioneve shtetërore kur bëhet fjalë për radikalizmin.
“Tendencat për me ndërlidh islamin me ekstremizmin e dhunshëm nuk ka diçka ndërlidhje të përbashkët por u vërejt një dallim shumë i madh në mes të komunitetit mysliman, medieve edhe institucioneve qendrore rreth diskutim. Ekziston një zbrazëti shumë e madhe e komunikimit në mes komuniteti mysliman në përgjithësi, medieve edhe institucionet shtetërore për adresimin e fenomenit të ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit “, tha Perteshi.
Zëdhënësi i BIK-ut, Ahmet Sadriu, tha se shpeshherë mediat kanë ndërlidhur islamin me ekstremizmin, duke mos pasqyruar realisht se çfarë është islami dhe çfarë paraqet.
“E ndjej vetën shumë komod dhe e ndjej vetën shumë të rehatuar në një aspekt kur është dal ky konstatim se burim i ekstremizmit që sot po trajtohet si problem nuk është islami, edhe pse në një aspekt ka pas tendenca të tilla dhe më vjen mirë që janë mediet prezentë sepse edhe më herët e kemi thënë dhe po e themi publikisht se kemi vërejtje nga mediet në aspektin e trajtimit të këtij fenomeni sepse së pari vërejtja ka qenë e jona se islami si fe duhet të njihet njëherë e pastaj t’i jepet një ep itet i tillë dhe një mungesë e informacioneve të tilla ka munguar tek ne”, tha Sadriu.
Xhymret Veliu, redaktor në Televizionin Publik të Kosovës (RTK), tha se detyrë e mediave është që të pasqyrojnë raporte hulumtuese lidhur me këtë temë. Sipas tij detyrë e mediave është po ashtu që të promovojnë idetë progresive dhe tolerancë si ide universale.
“Është detyrë e mediave që të ketë më shumë storie hulumtuese në lidhje me parandalimin e rrymat ekstreme në shoqëri, origjinën e tyre qëllimet dhe ndikimet e tyre qofte ato financiare ideologjike e tjera, qoftë duke u bazuar në ideologji apo të tjera siç është edhe detyrë e medieve që të promovojnë idenë progresive, toleranca si ide universale”, tha Veliu.
Ky debat u organizuar në vazhdën e projektit me titull” Rrëfimi i dy qyteteve- ekstremizmi i dhunshëm dhe kundërpërgjigja”. /KosovaPress/