Mungojnë votat për krijimin Gjykatës Speciale

Grupet parlamentare në Kuvendin e Kosovës akoma nuk kanë një qëndrim të qartë nëse do të votonin pro krijimit të një Tribunali të veçantë e cila do të gjykonte krimet e pretenduara të UÇK-së, gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Lajme

10/04/2014 07:58

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci thotë se përderisa nuk kanë marrë asnjë dokument zyrtar, nuk dinë se për çka bëhet fjalë. Gjithsesi ai për “Tribuna” ka thënë se duhet një koordinim i të gjitha partive, duke përfshirë edhe presidenten.

“Ne nuk e kemi materialin dhe nuk e dimë se çka është, kur ta marrim dokumentim pastaj koordinohemi si grup. Kjo çështje ka nevojë për koordinimin mes të gjitha grupeve e partive përfshirë edhe presidenten”.

Ndërkaq, LDK-ja si duket do ta votonte krijimin e Tribunalit. Deputeti Arben Gashi thotë se këtë gjë akoma se kanë diskutuar në GP, por se ata kanë qenë të informuar vazhdimisht për këtë çështje nga partnerët ndërkombëtar.

“Ne kemi qenë të informuar vazhdimisht nga partnerët ndërkombëtar dhe besoj se LDK duhet ta përkrahë këtë proces. Por ende s’kemi asgjë zyrtare dhe prandaj s’e kemi diskutuar në Grupin Parlamentar”.

E nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi pret që një dokument zyrtar të vjen në dorën e tyre dhe më pas të vendosin si Grup Parlamentar se si do të veprojnë.

“Ne nuk kemi asnjë dokument në dorë dhe presim që ai të vijë dhe të hyjë në rend dite dhe më pas të diskutojmë se si do të veprojmë”.

Partia e vetme që është shprehur kundër krijimit të Tribunalit që nga fillimi ka qenë Lëvizja Vetëvendosje. Deputetja, Albulena Haxhiu thotë se nëse krijohet një Tribunal i tillë, atëherë “UÇK-ja do të dilte njëfarë aventure kriminale”.

“Nëse do të duhej të kishte Tribunal të veçantë, atëherë do të duhej të ishte për Serbinë, e cila i ka shkaktuar 4 luftëra dhe mbi 150 mijë viktima joserbe në ish- Jugosllavi. Krijimi eventual i këtij Tribunali do të rezultojë me kriminalizimin e luftës së drejtë dhe çlirimtare të popullit shqiptar në Kosovë, rrjedhimisht nxjerrjen e UÇK-së si njëfarë aventure kriminale”, ka thënë Albulena Haxhiu, shkruan sot Tribuna.