Mungesë e citostatikëve në QKUK

Pacientët që vuajnë nga kanceri po detyrohen që disa lloje të citostatikëve apo terapisë identike ta sigurojnë me mjetet e tyre vetanake. Në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se është e pamundur që me buxhetin e caktuar për barna të mbulohen të gjitha nevojat.

Lajme

20/11/2013 10:06

Qendra Klinike Universitare e Kosovës po përballet me mungesë të citostatikëve dhe pacientët të cilët vuajnë nga kanceri po detyrohen që disa lloje të tyre, ose terapisë identike, ta sigurojnë me mjetet e tyre, raporton RTK.

Kjo gjendje e rëndë e furnizimit me medikamente elementare për pacientët është konfirmuar nga Zëdhënësi i QKUK’së, Shpend Fazliu.

“Për shkak të mos përmbushjes së listës (listës vitale të barnave) pacientët në shumë raste detyrohen që vet t’i blejnë citostatikët. Dikun rreth 50 për qind të listës vitale sigurohen nga Ministria e Shëndetësisë edhe pse kanë cmim shumë të lartë”.

Siç raporton RTK, zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë kanë pohuar se është e pamundur që me buxhetin e caktuar për barna të mbulohen të gjitha kërkesat që vijnë nga klinikat.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, ka thënë se gjithnjë kanë pasur prioritet të sëmurët nga kanceri, por edhe në këtë lëmi buxheti nuk po mjafton.

“Nga 30 lloje të citostatikëve nga lista vitale e barnave, këtë muaj ministria e ka furnizuar Institutin e Onkologjisë me 21 lloje të citostatikëve, derisa për 9 lloje të tjera janë duke u gjetur mënyrat se si të bëhet furnizimi”.

“Natyrisht se ka probleme, por nuk janë të shkaktuara nga faktori njeri, por, janë të shkatuara më tepër nga pamundësia që të mbulohen financiarisht të gjitha nevojat për barna kur dihet që buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë  është i nënvlerësuar”.

Hoti thotë se Ministria e Shëndetësisë po shqyrton mundësitë që përmes donatorëve të përmbush listën vitale të citostatikëve.

Në kohën e hartimit të  “listës vitale”, Drejtues të Qendrës Klinike Univeristare dhe Ministrisë së Shëndetësisë patën premtuar se ajo do të përmbushet 100 për qind  pasi që do të përmbajë medikamentet më të përdorshme dhe nevojshmë për qytetarët.