Mungesa e ujit detyron novobërdësit të shpërngulen

Rreth 300 banorë të Komunës së Novobërdës prej 6 muajsh nuk kanë fare ujë. 

Lajme

09/11/2014 19:44

Mungesa e ujit, ka detyruar shumë banorë të zhvendoseshin nga ky vend. E për ta siguruar atë duhet të bredhin nëpër përroska të ndryshme që gjenden në Novobërdë.

Banorët thonë se mbesin nën mëshirë të fatit. Këtë rrugë, kryefamiljari Nezir Llapashtica e bën pothuajse 10 herë në ditë, raporton KTV.

Deri para 6 muajsh, banorët furnizoheshin nga miniera e Novobërdës, por pasi nuk kanë arritur t’ia kryenin pagesat e energjisë elektrike minierës, të cilat arrin deri në 1000 euro, ata janë pa ujë.

E, se zhvillimi i një jete normale pa ujë është shumë i vështirë e dëshmon edhe shpërngulja e 40 familjeve. Një ndër ta që kishte vendosur të shpërngulej është edhe Jahir Gërbeshi.

Zyrtarët e Novobërdës thonë se e vetmja zgjidhje është që miniera të nisë prapë furnizimin me ujë për këta banorë, transmeton Koha.net.

E zëdhënësi i kombinatit “Trepça” me telefon i ka thënë KTV-së se e vetmja zgjidhje që këtyre banorëve t’u kthehet furnizimi me ujë është kryerja e pagesave pasi që janë disa borxhe të cilat janë akumuluar tashmë një kohë.