Mungesa e drejtësisë, arsyeja pse meshkujt në Kosovë s’po i paraqesin rastet e dhunimit seksual gjatë luftës

Në Kosovë nuk ekziston një organizatë apo institucion shtetëror që merre ekskluzivisht me meshkuj e dhunuar seksualisht. Për këtë, ata pak meshkuj që kanë vendosur të kërkojnë ndihmë, këtë e bëjnë në organizatat që në parim merren me gra.

Lajme

22/05/2022 23:16

“Medica Kosova” në Gjakovë është në mesin e katër organizatave të licencuara përmes të cilave bëhet aplikimi për këtë status.

Pjesë e episodit të dytë të dokumentarit “PASOJË” që i kushtohet burrave të dhunuar seksualisht gjatë luftës së fundit në Kosovë ishte edhe Veprore Shehu nga kjo organizatë, e cila tregon për sfidat e rehabilitimit të këtyre personave.

Ajo shprehet se deri më tani, nëpërmjet kësaj organizate kanë aplikuar vetëm 9 meshkuj për statusin njohje të statusit. Por, Shehu gjithashtu potencon faktin se mungesa e drejtësisë për viktimat ka frenuar shumë persona, që janë viktima të dhunës seksuale që t’i adresojnë rastet e tyre tek institucionet gjegjëse.

“Fillimisht deri tani prej momentit kur ka filluar ky proces deri tani kanë aplikuar për njohje të statusit 9 meshkuj dhe prej këtyre 9 meshkujve 2 janë në proces të rehabilitimit, pra prej 9 meshkujve 2 kanë pranuar që në një afat më të gjatë kohor të marrin këshillime psiko-sociale kryesisht por edhe ndihmë juridike ka pasur nevojë, ndërsa 7 prej tyre kryesisht kanë ardhur vetëm t’iu ndihmojmë në plotësimin e aplikacioneve për t’i dërguar në komisionin qeveritar dhe për të marrë statusin si persona të dhunuar gjatë luftës. Mirëpo, detyrimisht ne si organizatë para se të fillojmë me procesin teknik me plotësimin dhe dorëzimin e aplikacioneve në komision, psikologja apo edhe këshilluesja psikosociale në organizatë i ofrojnë së paku 3 seanca psikosociale të cilat kryesisht fokusohen në vlerësimin e simptomave të këtyre meshkujve të cilët janë më rezistues sa i përket pranimit të shërbimeve. Shiqoni, çështja e rehabilitimit të meshkujve është më komplekse tu marrë parasysh se kryesisht organizatat që ofrojnë këso shërbime rehabilituese, sidomos për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës janë kryesisht organizata që funksionojnë dhe udhëhiqen nga femrat, kështu që ka mungesë të organizatave që në mënyrë ekskluzive punojnë me meshkujt. Qasjen në shërbime e kanë më të kufizuar, edhe pse si ne, por edhe organizatat e tjera simotra, jam mëse e bindur që dyert ua kanë lënë të hapura edhe viktimave meshkuj që të paraqiten dhe të kërkojnë ndihmë psikologjike apo çfarëdolloj shërbimi tjetër për të cilin kanë nevojë. Mirëpo, meshkujt janë më rezistues sa i përket marrjes së shërbimeve.”

Ajo konsideron se institucionet e Kosovës janë vonuar në trajtimin e këtyre çështjeve qoftë për femrat, qoftë për meshkujt.

“Në përgjithësi institucionet tona janë vonuar qoftë për meshkujt, qoftë për femrat, procesi i njohjes ka zgjatur mjaft, mirëpo edhe stigma vazhdon të jetë prezentë. Mendoj që institucionet duhet të bëjnë fushata institucionale, ne si organizata, normalisht që edhe neve na takon që të realizojmë sa më shumë fushata vetëdijësuese,……por qoftë të ndihmojnë edhe organizatat me fonde, subvencione, enkas në veçanti për të realizuar fushata të tilla, mund të ndodh që mund ta zbusim njëfarë forme këtë rezistencë të marrjes së shërbimeve që ekziston të gjinia mashkullore në aspektin e rehabilitimit të traumës që kanë përjetuar gjatë luftës sidoqoftë ka hapësirë për me e realizu vetëdijësime të ndryshme në çdo aspekt, qoftë online, qoftë drejtpërdrejt në takime me komunitetin mirëpo ta them mund ta japë dhe një shembull. Rastet që janë ftuar në intervistë te komisioni qeveritar të viktimave të gjinisë mashkullore, bash mua më ka lënë përshtypje shumë, i fundit që ka qenë i ftuar në intervistë ju e dini komisioni qeveritar ka më shumë në përbërje anëtare femra sesa meshkuj dhe kur e kanë pyet disa detaje të ngjarjes traumatike, reagimi i parë i tij ka qenë: e si të flas unë për gjana kaq të turpshme, karshi motrave të mia? Dmth kjo tregon e dëshmon shumë mirë nivelin e stigmës por edhe rezistencën edhe këtë stigmën që në raport me femrat, që t’iu tregojë ngjarjen gjinisë femërore.”

Inkuadrim i meshkujve në këto organizata, që në parim kanë punën me gratë, ka bërë që edhe ofrimi i shërbimeve për ta të jetë më i kufizuar.

Derisa gratë marrin shërbime të ndryshme e zhvillojnë aftësitë e tyre në fusha përkatëse, meshkujve u ofrohet ndihmë në disa fusha më specifike.

“Ne ka pasur raste që krahas këshillimeve, qoftë edhe afatshkurta, 3-4 seanca, kemi ndihmuar për shembull një të mbijetuar mashkull, i kemi ndihmuar që të gjejë punë, ka pasur nevojë jashtëzakonisht shumë për punë edhe juristja kryesisht është angazhuar në këtë aspekt. Ka pasur raste edhe probleme pronësore, juridike që kanë pasur edhe këtu kanë marrë përkrahje të drejtpërdrejt. Në aspektin e këshillimeve afatgjata kjo ka qenë pak më e vështirë, zakonisht me meshkujt punohet në mënyrë individuale, me femrat mund të punojmë edhe në mënyrë grupore. Femrat, gratë janë të gatshme të shpalosin ngjarjet e tyre karshi njëra-tjetrës, një gjë e tillë është e vështirë të ndodh tek meshkujt, janë më shumë të mbyllur në këtë temë, prandaj edhe shërbimet i kanë më të kufizuara, megjithatë ne kemi ofruar ato që kemi pasur mundësi, në fakt kemi pasur mundësi të ofrojmë shërbime të llojllojshme, por kryesisht ofrohen ato shërbime të cilat janë të pranueshme për palën tjetër, në këtë rast për meshkujt.”

Pavarësisht pasojave dhe rrethanave, tash e 23 vjet asnjë serb nuk është dënuar për dhunimin seksual gjatë luftës në Kosovë. Madje institucionet e drejtësisë në vend  nuk kanë filluar asnjë procedura.

Mungesa e vënies së drejtësisë apo së paku fillimi i këtij procesi nga ana e institucioneve të vendit, ka bërë që pasojat të jenë të mëdha për viktimat.

“Ka ndikuar që edhe meshkujt t’ rezistojnë edhe marrjes së shërbimeve, aq më tepër edhe qasjes në drejtësi,edhe dokumentimit të këtyre krimeve. Unë konsideroj që institucionet tona duhet të bëjnë patjetër shumë më tepër edhe në aspektin e qasjes në drejtësi. Unë e di që ky është proces politik, ka pengesa të natyrës politike sepse Serbia nuk pranon të bëjë ekstradimin e kriminelëve ku duhet të gjykohen aty ku kanë ndodhur krimet dhe jo në Serbi dhe këto pengesa të natyrës politike duhet zgjidh bashkërisht me komunitetin ndërkombëtar me aleatët tonë ndërkombëtar, duhet bërë një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë, a do të jetë kjo pjesë e dialogut, që mendoj se duhet të jetë, apo do të jetë jashtë këtij dialogu, një marrëveshje e veçantë, atë nuk mund ta them unë, por konsideroj se duhet gjetë mënyrën që qasja në drejtësi dhe dokumentimi i këtyre krimeve të bëhet sa më parë dhe të bëhet në nivelin e duhur. Deri tash kanë shkuar disa dokumentime, por kjo është e pamjaftueshme krahasuar me krimet që kanë ndodhur në vendin tonë.”. /Lajmi.net/