Mundësitë që të tejkalohet bllokimi në Kuvend

Bllokada opozitare në Kuvend kulmoi me fishkëllimat dhe sidomos hedhjen e gazit lotsjellës në seancën e 8 tetorit.

Lajme

10/10/2015 12:08

Pavarësisht raporteve të krijuara, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, është zotuar se ai nuk do të përdorë policinë për t’i nxjerrë jashtë deputetët që pengojnë seancat, pavarësisht se një gjë të tillë atij ia lejon Rregullorja e punës.

“Kuvendi nuk do të bllokohet. Do të ketë vazhdimësi të punës së Kuvendit. Nuk do të ketë përdorim të forcës përderisa unë të jem kryetar aty. Nuk besoj që do ta zgjidh problemin nëse e fus aty sigurimin dhe nëse e nxjerr jashtë dikë prej deputetëve”, ka thënë Veseli.

Te tensionimi i raporteve mes qeverisë dhe opozitës, sipas shumë analistëve, ka edhe diçka personale që ndërlidhet në raportet ndërmjet liderëve opozitarë dhe kryeministrit Isa Mustafa.

Besohet se ashpërsimi i raporteve buron që nga koha kur kryeministri i tashëm, Isa Mustafa, kishte vendosur të shkëputej nga aleanca me tri partitë aktualisht opozitare, i njohur si blloku VLAN, për t’iu bashkuar një koalicioni të ri me Partinë Demokratike të Kosovës që drejtohet nga Hashim Thaçi.

Sido që të jetë, për analistin Imer Mushkolaj, edhe reagimi i kryeministrit Mustafa ndaj sulmeve të opozitës, ishte jo adekuat, ngase gjithçka linte përshtypjen e një konflikti personal dhe jo ndërinstitucional.

“Jam habitur shumë me mënyrën se si Mustafa i është qasur kësaj çështjeje për shkak se nuk ka arritur që ta përmbajë veten dhe është lëshuar në banalitete të tilla. Ai duhet ta ketë parasysh, besoj se e di, por nuk është përmbajtur, se në këtë rast nuk e përfaqëson veten individualisht, e as familjen e tij, por përfaqëson të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe fjalori i tij duhet të jetë më i përmbajtur”, ka thënë Mushkolaj.

Sidoqoftë, kryeministri Mustafa e ka përjashtuar mundësinë që marrëveshjet me Serbinë dhe Malin e Zi të anulohen dhe ia ka rikujtuar opozitës se e ka edhe mbështetjen ndërkombëtare.

“Kemi marrë përkrahjen e të gjithëve, edhe të administratës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për proceset që kemi kapërcyer këtu, edhe sa i përket vendimit për Gjykatën Speciale, edhe sa i përket demarkacionit të kufirit me Malin e Zi edhe katër marrëveshjeve që i kemi arritur në Bruksel me Beogradin, më 25 gusht të këtij viti”, ka deklaruar Mustafa.

Aktualisht, Kuvendi i Kosovës ka në agjendë shumë ligje që presin të miratohen.

Pas seancës së fundit, ku u përdor gazi lotsjellës, Kryesia e Kuvendit ka paralajmëruar masa shtesë që do të garantojnë sigurinë e deputetëve në sallë, si dhe një kontroll më të rreptë të deputetëve gjatë futjes në ndërtesën e Kuvendit.

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, Behxhet Shala, ka thënë se konsideron që kryetari i Kuvendit duhet të ndërmarrë masa për sigurinë e deputetëve.

“Hedhja e gazit lotsjellës mendoj se është diçka që nuk duhet të pranohet as nga vetë opozita, sepse nuk e besoj që ka pasur një qëndrim unik të saj. Pas kësaj, mendoj se është krijuar një situatë e re dhe duhet dhe do të ndërmerren disa masa të reja për të penguar një eskalim të mëtutjeshëm të situatës dhe mendoj se këtu ka masa disiplinore, e masa që çdo kuvend i merr”, ka thënë Shala.

Në bazë të Rregullores së punës së Kuvendit dhe ligjeve në fuqi, analisti i Institutit Demokratik të Kosovës, Albert Krasniqi, kishte parashikuar tri mundësi për zhbllokimin e Kuvendit.

Aty përfshihet edhe përdorimi i policisë për krijimin e kushteve për punë, opsion ky që është përjashtuar nga kryetari i Kuvendit.

Pastaj, ndërhyrja e presidentes për garantimin e funksionimit të institucioneve, si dhe kërkimi i mocionit të votë-besimit nga ana e Qeverisë.

E, në rast se asnjë prej këtyre zgjidhjeve nuk jep rezultat, atëherë nuk ishte përjashtuar as opsioni që Kosova të ndjekë shembullin e fundit të Greqisë që të shkojë në zgjedhje të reja. /rel/