Mulaomerovic: Kosova e gatshme për sfidat

Basketbollistët e Kosovës të enjten kanë zhvilluar përgatitjet e fundit në Prishtinë, derisa të premten janë akomoduar në Luksemburg. 

Sport

02/08/2019 23:30

Pikërisht sfida e parë parakualifikuese është të shtunën ndaj Luksemburgut në udhëtim.

Përzgjedhësi i Kosovës, Damir Mulaomeroviq ka folur për rrjedhën e përgatitjeve. “Jam i kënaqur me përgatitjet. Djelmoshat janë të motivuar dhe kanë dhënë maksimumin edhe në stërvitje. Për fat të keq është lënduar Lis Shoshi dhe nuk do të luaj në këto ndeshje, derisa edhe Drilon Hajrizi ka një lëndim dhe gjendja e tij do të monitorohet”, ka thënë Mulaomeroviq për faqen zyrtare të FBK-së.

Përveç me Luksemburgun, Dardanët janë në grup edhe me Britaninë e Madhe në parakualifikimet e Eurobasket 2021, ku fituesi kualifikohet në rrethin e ardhshëm.

“Ne kemi analizuar lojën e Luksemburgut, por duhet të jemi të vëmendshëm dhe t’i marrim ndeshjet një nga një. Fillimisht duhet të mendojmë për sfidën me Luksemburgun dhe më pas atë ndaj Britanisë së Madhe. Të gjithë kanë gjasa, ashtu siç kemi ne, megjithatë, duhet ta tregojmë këtë në fushë”, shtoi tutje Mulaomeroviq.

Ai ka një mesazh edhe për tifozët. “Ata janë shumë të rëndësishëm për ne. Gjithmonë na kanë përkrahur dhe shpresoj se kështu do të jetë edhe në dy ndeshjet që kemi në Mitrovicë. Kur kemi një publik të zjarrtë edhe lojtarët e kanë më të lehtë në fushë”, përfundoi DamirMulaomeroviq.

Ndeshja Luksemburg-Kosova zhvillohet të shtunën nga ora 19:00. /Lajmi.net/