Muhaxhiri: Zgjedhjet brenda LDK-së nuk janë vetëm të LDK-së, ndikojnë në gjithë spektrin politik

Zgjedhjet e brendshme që do të mbahen në Lidhjen Demokratike të Kosovës i sheh shumë të rëndësishme, jo vetëm për këtë parti, analisti politik Artan Muhaxhiri.

Lajme

19/03/2019 18:47

“LDK-ja është një ndër dy shtyllat politike të shtetbërjes dhe rezistencës, prandaj edhe ka peshë të jashtëzakonshme”.

“Zgjedhjet brenda LDK-së nuk janë vetëm të LDK-së sepse ato kanë ndikim në zhvillimet në gjithë spektrin politik kosovar”.

Muhaxhiri në Klan Kosova ka thënë se gara për të parin e LDK-së do të jetë e ashpër, për shkak të pozitës së favorshme të kësaj partie.

“Fokusi do të jetë i madh posaçërisht tash kur evidentohet një rritje e LDK-së në sondazhe dhe kur partitë tjera kanë më shumë probleme se sa që ka LDK-ja”.

“Kjo është mirë por edhe e vështirëson garën brenda LDK-së sepse pushteti është shumë afër”.

“Kur pushteti është i arritshëm si i pari, sepse LDK-ja ka qenë në pushtet si e dyta, por kur ka potencial për t’u bërë partia e parë edhe gara brenda partisë ashpërsohet”.

“Aspekti kryesor është që mund të flasim për një kryeministër potencial, kryetari i LDK-së mund të jetë një kryeministër potencial dhe kjo e vështirëson gjithë garën”.

Sipas Muhaxhirit ekzistojnë të gjitha indikacionet që Lidhja Demokratike e Kosovës të dalë e para në zgjedhjet e ardhshme në vend dhe kjo e rrit presionin mes kandidatëve potencial për të parin e LDK-së.

“Pas ndarjes së Vetëvendosjes, LDK-ja është partia e parë. Me mënyrën e funksionimit të PDK-së dhe me mungesën e reformave brenda kësaj partie nuk shihet mundësi që PDK-ja të ketë rritje të mëdha në zgjedhjet e ardhshme”.

“Është pothuajse e sigurt që LDK-ja do të jetë partia fituese e zgjedhjeve të ardhshme prandaj ekziston presioni shumë  i madh që ka të bëjë më strukturat”.

Kandidatët që synojnë karrigen e udhëheqësit të LDK-së janë të ndarë në disa kategori brenda strukturës së kësaj partie, sipas Artan Muhaxhirit.

“LDK-ja ka një strukturë heterogjene ku ka disa shtresime. Është një shtresë më tradicionale, një shtresë që është prurje e mesme dhe një shtresë tjetër e prurjeve të reja”.

“Janë disa kategori të pretendentëve që do të përplasen në këtë garë. Nëse mandati i kryetarit të LDK-së është pesë vjet atëherë do të jetë një periudhë e gjatë derisa të vijnë deri te zgjedhjet e ardhshme”.

“Padurueshmëria e kandidatëve do të jetë shumë më e madhe. Nëse kandidati për kryetarin e LDK-së është 35-40 vjeçar atëherë deri në zgjedhjet e tjera brenda partisë do të kalojë një pjesë e mirë e karrierës së tij”.