Muhaxheri: S’jam takuar me Haradinajn

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka mohuar të jetë takuar ditëve të fundit me kreun e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Lajme

07/07/2014 18:17

Mediat kanë raportuar se Muhaxheri dhe Haradinaj janë takuar në restorantin “Koha” në Pejë. Sipas raportimeve qëllimi i AAK-së ishte të merrte përkrahjen e grupit të Dukagjinit brenda LDK-së, të cilët thuhet se po e kundërshtojnë marrëveshjen e opozitës për krijimin e qeverisë. Sipas këtij portali, takimi ka qenë i tensionuar dhe se është dëgjuar zëri i ngritur i Muhaxherit.

Muhaxheri ka thënë se hera e fundit kur është takuar me Haradinajn, ka qenë në njërën nga ambasadat e huaja në Kosovë, para gjashtë muajve.

“Më nuk jam takuar me të”, ka thënë ai për Telegrafin.

Muhaxheri gjatë fushatës elektorale për zgjedhje lokale të mbajtura vitin e kaluar kishte qenë i ashpër me akuza ndaj drejtuesve të AAK-së, duke i akuzuar ata për vrasje, shantazhim të biznesmenëve, për marrje të ryshfetit dhe për korrupsion. Ndërsa, këta të fundit e kishin quajtur liderin e LDK-së, Isa Mustafën, ministër të Rrahman Morinës, kurse Muhaxherit ia kishin rekomanduar psikiatrinë.

I pyetur nga Telegrafi për marrëveshjen LDK-AAK-Nisma, sipas së cilës posti i kryeministrit i takon kreut të AAK-së, Muhaxheri ka thënë: “Nuk deklarohem për këtë koalicion”, ka thënë Muhaxheri.