Muharremi njoftohej nga Hajdari për sekrete shtetërore- Si u ble gruri me mbi 480 euro kur në treg ishte 290 euro, detaje nga aktakuza për produktet që iu pagua edhe transporti e su sollën kurrë
Pas shumë vitesh hetime, Prokuroria Speciale dje ka ngritur aktakuzë ndaj ministres tanimë në detyrë, të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari. Rozeta Hajdari shkroi mbrëmë se ishte njoftuar nga avokati i saj për dorëzimin e aktakuzës nga Prokuroria Speciale në Gjykatë Themelore të Prishtinës.Ajo madje tha se ndjehet krenare për punën që ka bërë…
Lajme
Pas shumë vitesh hetime, Prokuroria Speciale dje ka ngritur aktakuzë ndaj ministres tanimë në detyrë, të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.
Rozeta Hajdari shkroi mbrëmë se ishte njoftuar nga avokati i saj për dorëzimin e aktakuzës nga Prokuroria Speciale në Gjykatë Themelore të Prishtinës.Ajo madje tha se ndjehet krenare për punën që ka bërë si ministre në kohën më “të vështirë,- sigurimin e rezervës shtetërore të mallrave me produkte esenciale për jetës, në kohën kur ishim të pambrojtur, gjatë muajve shkurt dhe mars 2022”.
E kjo aktakuzë e ngritur ndaj Hajdarit dhe të tjerëve ka mbi 200 faqe.
Përpos ndaj Hajdarit, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë edhe ndaj bashkëpunëtorëve të saj, ish-zëvendëssekretarit Irfan Lipovica dhe drejtorin e Departamentit për Rezerva Shtetërore, Hafiz Gara për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Zbulim i fshehtësisë zyrtare”. Bashkë me këta zyrtarë, aktakuzë është ngritur edhe ndaj pronarit të restorantit “Bukë e Zemër, Ridvan Muharremi.
Muharremi zyrtarisht akuzohet për “ndihmë në kryerjen e veprës penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, derisa në aktakuzë jepen detaje shokuese se si Ridvan Muharrem kishte qasje në grupin e krijuar nga Rozeta Hajdari në “Whatsapp” për zyrtarët e ministrisë, e ku jepeshin detaje sekrete shtetërore.
Aty jepej çdo detaj për pagesat që bëheshin nga taksapaguesit e Kosovës.
Madje Ridvan Muharremi dyshohet se i solli ofertuesit turq, kurse ofruesin polak ia propozoi atij një i akuzuar për transportim të kokainës, lajmi.net.
Rezervat shtetërore është një nga hajnitë më të mëdha të kryera në Kosovën e pasluftës. Rreth 3 milionë euro dëme iu shkaktuan shtetit thënë shkurtimisht pasi vaji, sheqeri e të tjera u paguan me çmim më të lartë, me kontratë të negociuar dhe të njëjtët s’u sollën asnjëherë në Kosovë.
Duke shkuar edhe më tej sipas detajeve të aktakuzës, nga Qeveria e kanë blerë grurin me çmim më të lartë e për të njëjtin është dashur të paguhet transporti deri në Durrës, pastaj nga Durrësi në Kosovë- e më pas të paguhet edhe depoja ku parashihej të ruheshin, teksa në aktakuzë theksohet se një nga bendet e Kosovës që është “M& Sillosi” u kishte ofruar ofertën që të bëjnë vetëm pagesën për çmimin e blerjes së grurit kurse ruajtjen t’ua bëjnë pa pagesë.
Gjë e cila konstatohet edhe në aktakuzë. E për të gjitha këto zhvillime asokohe, në vitin 2022 pra ishte njoftuar edhe vetë kryeministri tani në detyrë, Albin Kurti.
Duke mos u ndal me kaq, Qeveria e Kosovës asokohe apo përfaqësuesit e saj të prirur nga Rozeta Hajdari e të tjerë zhvilluan rreth 20 takime me turqit në restorantin e tanimë të akuzuarit, Ridvan Muharremi.
Vetëm për këto dreka takimesh për t’i shkaktuar dëme shtetit 3 milionë euro, nga buxheti i Kosovës u paguan 11 mijë e 365 euro dreka në “Bukë e zemër” madje saktësisht nga Zyra e Kryeministrit.

“Nëse analizojmë më në detaje këto transaksione, vërehet se të njëjtat kanë filluar të realizohen nga muaji mars i vitit 2022, pra, pikërisht në kohën e zhvillimit të procesit të blerjes së rezervave shtetërore të mallit (grurë, vaj dhe sheqer), ku ishte i përfshirë Ridvan Muharemi”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.
Tutje, aktakuza citon se transaksioni për këtë drekë ishe bërë pikërisht në ditën e realizimit të kontratës me kompaninë turke për blerjen e 10 mijë tonë grurë në vlerë prej 4.8 milionë euro.
“Përveç tjerash, në muajin mars, konkretisht me datë 15 mars 2022, ditën kur është nënshkruar kontrata nga Rozeta Hajdari me operatorin turk “Yafe Turizm Insaat Sanayu ve Ticaret Anonim Sirketi”, është realizuar transaksion për drekën zyrtare e organizuar nga Kryeministri, në llogari të biznesit të Ridvan Muharemi “Bukë e Zemër”, thuhet tutje në aktakuzë.
Këto janë të gjitha tanimë të dokumentuara në Prokurori, transmeton lajm.net.
Pra, këta zyrtarë krijuan marrëveshje, gjetën njerëzit dhanë paratë e buxhetit të shtetit për produktet si vaji, sheqer e sasi të grurit që mungonte- e të cilat nuk erdhën asnjëherë.
Madje në një pjesë të aktakuzës thuhet se “Pas përzgjedhjes së operatorëve ekonomik të cekur në pikën 2 të përshkrimin faktik, e pandehura Rozeta Hajdari, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me datë 15.03.2022 pa publikim të shpalljes publike, duke u bazuar në një procedurë të kundërligjshme të përzgjedhjes së operatorëve ekonomik siç është ajo me negocim direkt, e zhvilluar kryesisht ndërmjet të pandehurve Hajdari, Irfan Lipovica, Hafiz Gara me të pandehurin Ridvan Muharremi, i cili qëllimshëm dhe kundërligjshëm ishte pranuar si përfaqësues i “Yafe Turizm Insaat Sanayu ve Ticaret Anonim Sirketi” edhe përkundër faktit se nga drejtori i Departamentit Ligjor dhe zyrtarët e tjerë në ministri kishte paralajmërime se blerja e rezervave shtetërore me procedurë të negociuar nuk kishte bazë ligjore, me synim të realizimit të qëllimit të saj deri në fund, ka nënshkruar kontratën me “Yafe Turizm Insaat Sanayu ve Ticaret Anonim Sirket”për furnizim me grurë në sasi prej 10.000 ton me çmim të përgjithshëm prej 4.834.778 euro. Çmim ky i përcaktuar në kontratë sipas kushteve “Delivered Duty Paid”, që nënkupton se çmimi shitës i mbulon të gjitha shpenzimet e transportit të mallit nga depoja deri në destinim final, sigurimin e mallrave gjatë transportit, ngarkimin, shkarkimin e mallrave, doganës dhe shpenzimet e tjera administrative”.
Tutje në aktakuzë thuhet se “E pandehura Rozeta Hajdari, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare me datë 17.03.2022, pa publikim të shpalljes publike, duke u bazuar në një procedurë të kundërligjshme siç është ajo me negocim, e zhvilluar ndërmjet të pandehurve Rozeta Hajdari, Irfan Lipovica, Hafiz Gara dhe Tomaz Tokarski, pronar i OE “Xanto SP”, me seli në Poloni sipas sugjerimeve , ndërmjetimit dhe ndihmës së të pandehurit Rivan Muharremi, ka nënshkruar kontratën me numër 1548-02, me këtë operator ekonomik për furnizim me vaj në sasi prej 200.00 litra dhe sheqer në sasi prej 120.000 kg me çmim të përgjithshëm 276.400 euro. Çmim ky i i përcaktuar në kontratë sipas kushteve “Delivered Duty Paid”, që nënkupton se në çmim shitësi mbulon të gjitha shpenzimet, përfshirë shpenzimet e transportit të mallit nga depoja deri në destinimin final, sigurimin e mallrave gjatë transportit, ngarkim e shkarkim të mallrave , doganës dhe shpenzimet e tjera administrative, deri në dorëzim të mallit tek blerësi”.
Sipas kësaj aktakuzë “të pandehurit Rozeta Hajdari, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, gjatë negocimit me “Yafe Turizm Insaat Sanayu ve Ticaret Anonim Sirket” përmes të pandehurit Ridvan Muharremi në mënyrën e përshkruar si në pikën 2 të përshkrimit faktik, nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare, ngase duke vepruar në kundërshtim me nenin 35 (par 3, pika II) të Ligjit për Prokurim Publik, kanë pranuar që çmimi për një ton grurë të jetë më i lartë se çmimi mesatar i tregut përkatësit 483.48, në kohën kur çmimi mesatar i tregut për muajin mars sipas të dhënave të Doganës së Kosovës për një ton grurë ishte 290 euro”.
Kështu që sipas aktakuzës derisa cmimi i grurit të kontraktuar ishte më i lartë se sa në tregun e Kosovës, dëmi që iu shkaktua vendit është 1,934,800.00 euro.
59.98 tonë grurë më pa ki pranuar, dëmi i shkaktuar ishte 28.515.65 euro.
Pagesa për transportin Bursa-Durrës, dëmi i shkaktuar ishte 295,000 euro.
Dëmi i shkaktuar për transportin që parashihej të bëhej nga Durrësi në Prishtinë ishte 377,419.13 euro.
Mos pranimi i vajit dhe sheqerit, dëm i shkaktuar në vlerë 276,400.00 euro.
Të dhëna këto nga aktakuza në fjalë.
Derisa detajet e kësaj aktakuzë veçse janë duke dalë, mbetet të shihet se cilat do të jenë te rejat e radhës nga Gjykata Themelore në Prishtinë pas pranimit të kësaj akuze.
Pikërisht për këtë rast, Albin Kurti ishte thirrur disa herë si dëshmitarë, por i njëjti ka refuzuar që t’u përgjigjet prokurorëve, ai kishte bërë thirrje që ata të shkonin e ta intervistonin në zyrën e tij.
Prej disa muajsh thirrja drejtuar Kurtit ka mbetur thjesht në letër, e i njëjti nuk u paraqit asnjëherë për të dëshmuar se çka ndodhi me rezervat e shtetit./Lajmi.net/
