“Mua s’ma kalon as Zoti, as asgjë”, rrëfimi i rëndë i burrit të dhunuar seksualisht gjatë luftës së fundit në Kosovë

Lajme

22/05/2022 18:59

Me ndërrimin e stinëve, pranvera e vitit 1999 solli ngjarjet më të hidhura në jetë për mijëra njerëz në Kosovë. Largimi nga drejtë një regjioni tjetër të Kosovës, nuk i shpëtoi njerëzit nga historia ndoshta më e errët e jetës së tyre.

Në fillim të pranverës së vitit 1999, ngjarjen më të rëndë për të e përjetoi edhe një 32 vjecar, duke i bërë pjesë e rreth 20 mijë njerëzve që deklarohet të jenë dhunuar seksualisht gjatë luftës në Kosovës.

Së bashku me familjen qëndroi i izoluar brenda një shtëpie për ditë me radhë, pasi ishte zhvendosur në një qytet tjetër. Krejt kjo për të shpëtuar nga më të këqijat që mund t’i sjell lufta.

Në këtë episodë të dytë të emisionit dokumentar “PASOJË”, lajmi.net sjell një tjetër rrëfim ekskluziv të një mashkulli të dhunuar seksualisht gjatë luftës së fundit në Kosovë, ndërsa gjithashtu sjell edhe trajtimin institucional e social të këtyre personbave.

“Ka qenë me ditë të tëra, që askush nuk kemi guxuar për me dalë përjashta kurrë. Kemi qenë vetëm brenda me atë ushqim që e kemi pasur të rezervuar edhe e kemi ngrënë. Ushtria dhe policia serbe pas një kohe mori një vendim që ata qytetarë që kanë qenë të ngujuar në Prishtinë, t’iu mundësohet një dokumentacion identifikimi për me dalë me ble bukë. Kemi shkuar, ata pak qytetarë që kemi mbetur dhe i kemi marrë ato dokumente. Po mjerisht, apo kartona apo leternjoftime që i kanë dhënë forcat serbe kishin qenë për identifikimin dhe masakrimin e të gjithë atyre familjeve shqiptare që kanë mbetur në Prishtinë. Ne nuk e kemi ditur. Nuk e kemi ditë për çka janë ato. I kemi marrë ato dokumente, kemi dalë për me ble bukë atë datë. Ka qenë mars në mos gabofsha.”

Por, vazhdimi i qëndrimit krejtësisht mbyllur ishte i pamundur, por si duket do ishte më në të mirë të tij. Fatkeqësisht gjatë luftës, edhe përmbushja e nevojave për mbijetesë, ishte fillesa e tmerrit që përjetohet shkurt, por jeton gjatë.

“Meqenëse rruga nga … ka qenë e bllokume nga forcat paramilitare serbe, ka qenë në total e bllokume. Të vetmen rrugë që e kemi pasë me dalë në shitore ka qenë rruga ka … Ka qenë e vetmja shitore shtetërore në …, sot ku është përmendorja e …, ka qenë “…” apo shitorja shtetërore. Aty ka pasë bukë, gjëra ushqimore, kush ka pasë mundësi financiare me ble. Kur kam ardhë tek …, jam taku në forcat paramilitare serbe. E kom ditë që jeta jem përfundoi. Më kanë thirrë në gjuhën serbe: “Hajde bukurosh”. Mu kanë këputë dy këmbët. Jam afru. Mu kanë vërsulë. Ku po shkon, pse je dalë? I’ua kom tregu dokumentin që na e kanë dhanë për me ble bukë. Aty kanë fillu me më rrehë shpulla, më kanë rrehë shumë shuplaka. Sa që deri sa më kanë qit në alivanosje. Më kanë thënë pse s’je ikë me shku në Shqipëri? Thashë nuk du me ikë në Shqipëri, s’du me ikë prej shtetit tem, prej vendit tem. Njëri prej tyre, si sot më kujtohet, më ka thanë pse po rren, pse po gënjen? Se këto e ki vetëm prej frikës. Më kanë marrë të rrehun ashtu, më kanë ngreh zhag, më kanë çu në restaurant ka qenë restorant “…”, atë botë, përballë kinemasë “…”.”

I rrahur dhe i maltretuar ishte futuar në hapësirat e një podrumi , derisa po e priste më e keqja, që paraprakisht në atë vend u kishte ndodhur disa gra.

“Aty më kanë fut me zor me dhunë, i rrahun dhe i torturum. Kur kom hi aty, i kom zatet, si sot më kujtohet… i kom zatet dy vajza, apo dy gra apo dy zoja, gjysmë të zhveshura. Kur tham gjysmë të zhveshura, është shok e lart. Aty e kam taku edhe një bashkëpunëtor të tyre, një djalë i ri apo kush ka qenë, i thojke një tjetri, ish kanë tu e rrehë atje, në tjetrën anë, ti nuk po i kryn puntë e mi… s’i ke kry puntë ashtu qysh të kemi thanë na. Tash çka ka qenë ai, a ka qenë bashkëpunëtor i tyre apo ka qenë i kidnapuar edhe ai si unë nuk ka di.”

Ne mes rrahjeve çnjerëzore e torturës psiqike nga tre persona, e në prani të këtyre dy grave shqiptare atë e kishin dhunuar seksualisht.

“Aty kanë fillu më kanë torturu, më kanë desh më kanë shtri në tokë edhe njëri nga paramilitarët ma kanë qit kamën në qafë qitu edhe m’ka shtri tjetri person e ka marrë një sprej, i njëjti më tha qitash ta kallëzojmë na ty qefin edhe i kanë thanë një paramilitari me pseudonim të luftës, ka qenë emër i vërtetë apo pseudonim i luftës, nuk më kujtohet. Veç e di që i ka thanë Ante ose Antice… Kryje ti punën tane ashtu qysh din ti. Aty ma ka qitë do sprej në zorrë të trashë dhe ka filluar të më dhunojë. Brima jem ka qenë shumë, në ekstrem në atë botë. Në ato momente të brimës Zoti apo kush ka ardhë, ka ardhë një patrollë e policisë serbe apo jugosllave edhe është nalë dhe e brimën teme sigurisht e ka dëgju dhe ka bërtit në gjuhën serbe: Gatitun, si bëni kështu Zoti ju vraftë! Për me kuptu që ka qenë një zinxhir komandues edhe një zinxhir komandues i ushtrisë apo policisë paramilitare e kom kuptu që ka qenë zinxhir komandues i ushtrisë. Se pozicionin kur e ka marrë, dhe… urdhrin kur e kanë marrë i kanë vesh pantallonat kur… mua, unë e kom ditë që ka qenë që ka qenë ky i programuar nga shteti. Domethanë dhunimi ka qenë i programuar për me e degjeneru një popull. A po kupton? Domethanë ka qenë i programum. Domethanë ka qenë, se nuk ka mjaftu nga forcat serbe dhe forcat paramilitare vetëm vrasja dhe krimi i shqiptarëve, kanë dashtë edhe të dhunon këtë popull.”

Pas aktit të dhunimit, në gjendje të rëndë fizike, ai ishte liruar nga një ushtar serb, për të marrë rrugë pa destinacion, derisa barra e ngjarjes ia kishte pamundësuar përceptimin e plotë të situatës së përgjithshme.

“Masi që më kanë dhunu …një oficer dhe më ka marrë më ka qitë përjashta, jam dal i zhveshur përjashta. Aty e kam marrë arratinë dhe jam shkue… Nuk e kom ditë kah me shku, i gjakosur deri në … Kom nejtë 24 orë, deri nesër, s’kom guxu me dalë prej një lumi. Nuk kom guxu, në lum kam nejtë. Thojsha po m’nxanë prapë për s’dytsh. Masi pshtova, nesër në sabah herët kom shku te shpia, kom pasë familje edhe jam shku i kom tregu shoqes çka më ka ndodhë. Masi që janë rritë fmija, mas një kohe i kom tregu edhe fëmijëve, edhe fëmija e kanë ditë.”

Njoftimi i familjes për ngjarjen e ndodhur ishte një barrë më pak për të. Por, kjo nuk i lehtësoi pasojat e pakalueshme që i la përjetimi i tmerrshëm, e që e përcjellin ende.

“Jam kanë në gjendje të mjerueshme, nuk kom mujtë kurrë në jetën time me u rahatu. Kam qenë shumë sëmurë, kom kalu shumë herë në depresion, a po kupton? Shpesh kom dashtë mos me jetu më me gru edhe me fëmijë, a po kupton? Po, gjithmonë më ka majtë familja dhe fëmija, se nashta shumë sene… sot nuk isha. Me të tregu qartë.”

Ai shprehet se kjo ndodhi e rëndë i ka lënë edhe pasoja të mëdha pas luftës.

“Shumë, shumë, shumë bacit. Shumë, kjo është punë e ranë. Më s’ma kalon as Zoti as kurrgjë. Unë kanihere thom më ka shpëtu edhe gjuha, se e kom ditë gjuhën. Kom bashkëpunu me ta me gjuhë. Se unë e flas gjuhën serbo-kroate, kjo më ka shpëtu. Fizikisht jam kanë i llomitun, krejt jetën. Edhe sot e asaj dite jam i llomitun. Nuk e nij më vetën mirë, absolut. As nga çështja mentale, as shëndetësore, asgjë. E vetmja gjë që më ka majtë ka qenë familja, gruaja, fëmija që i kam shëndosh. Po kom marrë trajtim shpeshherë në spital, në Prishtinë, kom marrë trajtim gjatë administratës së Kombeve të Bashkuara në UNMIK.”

Për dallim nga shumica e të dhunuarve seksualisht gjatë luftës, ky burrë nuk ka zgjedhur që gjithçka të mbetet në heshtje. Ai, gjatë luftës kishte lajmëruar rastin e tij, ndërsa kishte vazhduar kërkimin e drejtësisë dhe trajtimin e duhur edhe pas luftës.

“Kam qenë në zyret e UNMIK-it te “…”. Ato dosje, ato dëshmi mi ka humb komplet një gjerman dhe një polic rus, atë e di. Para shqiptarëve, unë kam dhënë dëshmi edhe në UNMIK. Po të gjitha, kur kom shku me i kërku asnjë nuk i kam gjetë. …Unë gjatë luftës e kam lajmëru rastin në njerëzit e caktum që janë marrë njerëzit e kombit, njerëzit e shtetit që kanë qenë. Unë edhe gjatë luftës i kam lajmëru rastin. Të nesërmen, mas një dite apo dy, kam shku e kam gjete njërin me refugjatë dhe i kom thanë shkruj këto sene çka ju kanë ba forcat serbe shqiptarëve. Pas vrasjes, pas torturës, pas krejt. Se policia edhe ushtria serbe kanë dhunu edhe njerëz, kanë dhunu femra dhe meshkuj. Edhe i ka shkru, falë atij njeri, mu ka gjetë pas lufte në intervista të ndryshme, mu ka gjete shumë herë. Është besu nga organet policisë, hetuesisë, prokurorisë. Unë i kom dhanë këto intervista edhe në shtet, a po kupton? Edhe gjithmonë kom me e thanë të vërtetën. Tash e ndjej vetën lirë se unë gëzoj një status, gëzoj një pension, sado që të jenë është i mirë për mua. Kaq ka mundësi shteti. Po, t’i tregojna botës edhe gjithherë kom thanë që Serbia fashiste ka bërë krime çnjerëzore në Kosovë. Se vrasja më e ranë, është kur është aparati shtetëror edhe është i programum në shtet. Kjo është me dhanë përgjegjësi shteti.”

Trajtimi nëpër mjek, psikolog e profesionistë të tjerë ai e kishte bërë për vite me forca vetanake, pa marrë ndonjë mbështetje direkte nga institucionet. Kjo kishte zgjtur deri në vitin 2014, kur ishte lajmëruar në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, ku po vazhdon të ndihmohet në trajtim.

Ndërsa, në Vitin 2017 me vendim të Qeverisë së Kosovës është themeluar Komisioni Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës, ndërsa aplikimet e para për njohjen e këtij statusi janë bërë në vitin 2018.

Që nga ajo periudhë e deri në fillim të vitit 2022, 1,645 persona kanë aplikuar për ta fituar këtë status, rrjedhimisht edhe për të fituar mbështetje financiare në vlerë prej 230 eurove në muaj. /Lajmi.net/