MSA-ja, Specialja dhe dialogu me Serbinë – Perspektiva evropiane e Kosovës sipas BE-së

Strategjia e zgjerimit të BE-së që u publikua më herët për vendet e Ballkanit Perëndimor ka përcaktuar disa kushte kryesore të cilat shtetet që synojnë anëtarësimin duhet t’i plotësojnë.

Lajme

06/02/2018 16:34

Kjo strategji e cila në parim tregon për avancimin e vendeve veç e veç drejt Ballkanit Perëndimor, Kosovën e përmend shumë pak herë.

Madje përveç që në raportin zyrtar të publikuar nga faqja e BE-së, emri i Kosovës shkruhet me fusnotë.

Ai përmendet më shumë në raport me Serbinë, sesa në perspektivën që do ta ketë Kosova drejt Bashkimit Evropian.

“Kosova* ka një mundësi për një progress të qëndrueshëm përmes zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit për të përparuar në rrugën e saj evropiane, nëse e lejojnë rrethanat objective. Kosova gjithashtu do të përfitojë në mënyrë të konsiderueshme nga një normalizim defnitivi me Serbinë”, thuhet në raportin e plot të BE-së, transmeton lajmi.net.

Tutje, Kosova po del të jetë faktor kryesor për rrugën edhe të Serbisë drejt BE-së.

Në raport thuhet se një marrëveshje përfundimtare ndërmjet dy vendeve është e detyrueshme dhe urgjente.

“Pa normalizim efektiv dhe gjithëpërfshirës të raporteve Beograd-Prishtinës përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja nuk mund të ketë stabilitet të qëndrueshëm në rajon. Marrëveshje e detyrueshme është urgjende dhe vendimtare në mënyrë që Serbisë dhe Kosova të mund të përparojnë në rrugët e tyre evropiane”, bën të ditur Strategjia.

Në këtë raport është gjetur vend edhe për dhomat e specializuara të Gjykatës Speciale.

Theksohet se krimet e luftës, tribunalet ndërkombëtare, dhe Specialja janë çështje të cilat duhet të adresohen urgjentisht.

“Çështjet e ndjeshme të tilla si trajtimi i rasteve të krimeve të luftës duke përfshirë bashkëpunimin me Tribunalet Penale Ndërkombëtare dhe me Dhomat e Specializuara të Kosovës, personat e zhdukur, refugjatët, personat e zhvendosur, duhet të adresohen urgjentisht”, thuhet tutje në këtë raport.

Ndryshe, pas publikimit të kësaj strategjie kanë reaguar disa prej liderëve të diplomacisë kosovare.

Ministri i jashtëm, Behgjet Pacolli tha se ka pritur më shumë, kurse ministrja e integrimeve, Dhurata Hoxha deklaroi se Kosova e ka rrugën e ndarë nga Serbia drejt BE-së. /Lajmi.net/