MPJ thotë se Serbia me anë të ryshfeteve po siguron dokumente të rrejshme të çnjohjeve

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, ka hedhur poshtë pretendimet e ministrit serb se Republika e Naurusë ka tërheq njohjen e Kosovës.

Lajme

22/11/2019 13:45

Jetlir Zyberaj, këshilltar politik i ministrit të Punëve Jashtëm në dorëheqje, Behgjet Pacolli, i tha lajmi.net se Beogradi është duke përdorur ryshfete për të lëshuar dokumente dhe për të bërë deklarata që janë hedhur poshtë nga qeveritë e veta më vonë.

“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës po punon përmes kanaleve diplomatike me gjitha shtetet. Kosova nuk bën komente për dokumentet dhe deklarata që shpallen nga Beogradi dhe që si në të kaluarën si në rastin e Republikës së Afrikës Qendrore ryshfetet janë përdorur për të lëshuar dokumente dhe për të bërë deklarata që janë hedhur poshtë nga qeveritë e veta më vonë. Ne nuk kemi marrë asnjë komunikim dhe dy vendet tona kanë marrëdhënie diplomatike të vendosura në përputhje me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike”, ka thënë Zyberaj.

Lexo edhe:

Daçiq: Edhe një shtet ka tërhequr njohjen e Kosovës

Ndryshe, Republika e Naurusë ka vendosur sot ta tërheq njohjen e Kosovës dhe do t’i ndërpresë të gjitha kontaktet diplomatike që kishte deri më tani me Kosovën, ka deklaruar Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq.

Ai për “Tanjug” ka thënë se në notë, të cilën ia dorëzoi zëvendës ministri i jashtëm i Naurusë, tek ambasada serbe në Australi, thuhet se Republika e Naurusë ka rënë në përfundim se vendimi për njohje ishte në shkelje me principet e rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, transmeton lajmi.net.

“Në notë thuhet se Republika e Naurusë ka analizuar vendimin për njohjen e Kosovës dhe ka vendosur ta tërheq njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe do t’i ndërpresë të gjitha kontaktet diplomatike me Kosovën që kishte deri më tani”, deklaroi Daçiq.

“Nëse sot llogarisim edhe notën nga Nauru, aktualisht gjendja është 95 mos njohje, 93 njohje dhe 5 shtete me status të apstenuar. Do të vazhdojmë aktivitetin tonë në përputhje me instruksionet e presidentit Vuçiq i cili ka për synim mbrojtjen e interesave shtetërorë dhe nacionale në mbrojtje të integritetit tonë territorial”, u shpreh ai. /Lajmi.net/