MPJ kërkon nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë t’ia heq imunitetin shtetasit rus

Pas kërkesës së Kryeprokurorit të  Prokurorisë Themelore të Mitrovicës Shyqyri Syla për heqjen e imunitetit për shtetasin rus Milajl Aleksandroviq, MPJ ka proceduar kërkesën në Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Lajme

29/05/2019 21:01

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës Shyqyri Syla gjatë ditës së sotme ka kërkuar nga Departamenti i Protokollit të Shtetit në MPJ heqjen e imunitetit për shtetasin rus M.A, punëtor i UNMIK-ut, shkruan lajmi.net.

E këtë kërkesë Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovë tashmë e ka dorëzuar tek Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, kështu bëjnë të ditur burime për lajmi.net.

“MPJ i është drejtuar Misionit të Kombeve të Bashkuar në Kosovë, që t’ia heq imunitetin shtetasit rus Milajl Aleksandroviq. E ka bërë këtë me kërkesë të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës”, ka thënë ky burim për lajmi.net.

Mikhail Krasnoshchekov, punonjës i UNMIK-ut u arrestuar një ditë më parë nga Policia e Kosovës gjatë aksionit anti-kontrabandë në veri të vendit, nën dyshimin se bashkë me një punonjës tjetër të këtij misioni të Kombeve të Bashkuara dhe disa serbë lokalë, kanë penguar aksionin duke vendosur një barrikadë në rrugë.

“Për të njëjtin dhe 7 persona tjerë Prokuroria Themelore e Mitrovicës me datë 28 maj 2019, ka filluar hetimet për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprave penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 401 paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 dhe 2 e lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi” nga neni 403 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.

Kryeprokurori Syla ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës që në pajtim me ligjin për Statusin Imunitetet dhe Privilegjet e Misioneve Diplomatike, Konsullore dhe Personelin e Kosovës dhe Praninë Ndërkombëtare ushtarake dhe personelin e saj (Ligji Nr.03/L-033), që ta procedojë këtë kërkesë tek Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për heqjen e imunitetit të shtetasit rus.

Ky rasti i parë kur Ministria e Punëve të Jashtme kërkon heqjen e imunitetit për një diplomat me mision në Kosovë. /Lajmi.net/

Lexo edhe: Prokuroria kërkon t’i hiqet imuniteti zyrtarit rus që u arrestua dje në Veri