MPJ e Kosovës nuk sqaron nëse i është dhënë leja për vizitë Aleksandar Vuçiqit

Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka kërkuar të qëndrojë më 12-14 janar në Kosovë për festat e fillimvitit të komunitetit ortodoks.

Lajme

11/01/2015 10:42

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka bërë të ditur për KosovaPress se Qeveria serbe tani duhet të marrë leje për çdo vizitë nga Qeveria e Kosovës nëpërmjet zyrave ndërlidhëse, pa sqaruar nëse i ka lejuar një gjë të tillë.

Përkundër interesimit të Kosovapress për të ditur më shumë rreth lejes për qëndrim në Kosovë të kryeministrit serb, zyra për informim e MPJ të Kosovës nuk ka sqaruar përmbajtjen e kërkesës së palës serbe dhe as vendimin për lejeqëndrim, duke sqaruar vetëm arsyet e vizitës.

“Qeveria serbe tani duhet të marrë leje për çdo vizitë nga Qeveria e Kosovës nëpërmjet zyrave ndërlidhëse. Vizitat e fundit kanë të bëjnë me festat e fillimvitit të komunitetit ortodoks”, është përgjigja e Zyrës për Informim të Ministrisë.

Në letrën e dërguar Qeverisë së Kosovës, sipas medieve, nga pala serbe është shkruar se “Me mirësi kërkojmë ndihmën tuaj në përcjelljen e policisë për Ekipin Përgatitor të Aleksandar Vucic, Kryeministrit të Republikës së Serbisë. Vizita për në Kosovë është planifikuar për ditën e hënë, të martë e të mërkurë, pra prej 12 deri më 14 janar 2015. Ju njoftojmë se Ekipi Përgatitor do të mbërrijë në vendkalimin administrative të Konçulit të hënën (12 janar), në orën 12:00. Gjithashtu ju njoftojmë se do të informoheni më pas për detajet e tjera lidhur me aranzhimet e udhëtimit për të hënën, të martën dhe të mërkurën”.

Një vit më parë, ish-kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, aktualisht Ministër i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Serbisë, pati qëndruar në Kosovë me leje nga organet shtetërore të Kosovës.