Mourinho kundër Topit të Artë

Menaxheri i Chelseas, Jose Mourinho, ka insistuar se është kundër ndarjes së një çmimi si Topi i Artë, për futbollistin më të mirë të vitit në botë.

Sport

28/11/2014 18:46

Menaxheri i Chelseas, Jose Mourinho ka thënë se është kundër ndarjes së një çmimi si Topi i Artë. Mirënjohja nga FIFA dhe France Football i takon futbollistit më të mirë të vitit në botë.

Por, Mourinho ka bërë të ditur se nuk e pëlqen një çmim të tillë.

“Një çmim i tillë nuk është i mirë për futbollin. Për këtë arsye nuk më intereson për të”, u shpreh strategu i Blues.

“Nganjëherë duket sikur jemi duke kërkuar yje, jemi duke kërkuar njerëz që duan të jenë më të rëndësishëm se të tjerët. Dhe, kjo nuk është një kulturë të cilën e dua në klubin tim. Nuk më intereson për të, por ja që ekziston. Është aty si pasojë e punës së mirë që është duke bërë ekipi. Dhe, nëse ata e konsiderojnë si në rregull, shumë mirë për ta”, u shpreh ai.