Mourinho i gëzuar, Pellegrini nervoz
Jose Mourinho u shpreh i lumtur për fitoren e Chelseas ndaj Manchester Cityt 2-1 në Stamford Bridge, dhe lavdëroi paraqitjen e futbollistëve të tij, e në veçanti sulmuesit Fernando Torres i cili bëri një asistim dhe realizoi golin vendimtar në çastet e fundit të ndeshjes. “Kishim pak fat, i nevojshëm për të fituar ndeshjet e…
Sport
Jose Mourinho u shpreh i lumtur për fitoren e Chelseas ndaj Manchester Cityt 2-1 në Stamford Bridge, dhe lavdëroi paraqitjen e futbollistëve të tij, e në veçanti sulmuesit Fernando Torres i cili bëri një asistim dhe realizoi golin vendimtar në çastet e fundit të ndeshjes.
“Kishim pak fat, i nevojshëm për të fituar ndeshjet e tilla. Fernando besoi deri në momentin e fundit. Ne fituam një ndeshje që ishte shumë e rëndësishme për ne. Mposhtëm ndoshta ekipin më të mirë në Premierligë. Jam i lumtur me karakterin tonë, dhe me dozën e vogël të fatit”, deklaroi Mourinho i cili golin e fitores e festoi duke kërcyer tek tifozët në tribunën prapa bankinës së tij.
“Nuk dua të më keqkuptoni. Biri im ishte prapa bankës tonë. Nuk ishte mungesë respekti, ishte thjesht emocion. Nuk vrapova deri në korner, isha afër aty”, u shpreh ai.
Për dallim nga Mourinho, homologu i tij Manuel Pellegrini ishte në disponim krejt tjetër. Madje pas ndeshjes, ai nuk u përshëndet me Mourinhion.
Në pyetjen e gazetarëve se pse iu shmang portugezit, ai tha: “Nuk desha të përshëndetem me të”.
“Jam i lumtur me mënyrën si është duke luajtur skuadra por humbja e sotme ishte vërtetë mëkat. Ne e kishim kontrollin e ndeshjes. Nuk kam pritur asgjë tjetër nga Mourinho.
Festimi i tij ishte normal”, u shpreh ai. Me këtë fitore, Chelsea ndjek Arsenalit me dy pikë më pak kurse Manchester City është i shtati.