Motori i vrasësve të Artan Santos, dyshohet se erdhi nga Kosova

Mjeti i autorëve që kanë qëlluar ndaj biznesmenit Artan Santo dyshohet të ketë ardhur nga Kosova. Ky është një ndër konkluzionet në të cilat ka arritur grupi hetimor për ekzekutimin mafioz të 58-vjeçarit në mes të zonës së ish-Bllokut. 

Lajme

30/06/2014 10:25

Burime nga grupi hetimor kanë ngritur dyshimet se motori tip “Suzuki VStrom” mund të jetë blerë në Kosovë. Madje, sipas ekspertëve, ky motor mendohet të ketë hyrë në Shqipëri vetëm për të kryer vrasjen. 

Nga të dhëna jozyrtare ngrihen dyshime se njëri prej vrasësve mund të ketë qenë edhe femër, për shkak të konstruktit dhe trupit të imët, gjë që në pamje të parë duket se e vërteton edhe veshja e jashtme e killerave, pasi njëri prej tyre ka veshur atlete femrash. Por, kjo hipotezë po hetohet, pasi veshja e jashtme mund të jetë edhe një kamuflazh i dy atentatorëve, të cilët mendohet se pas vrasjes mund të kenë ndryshuar edhe rrobat që mbanin veshur, të cilat mendohet se i kanë pasur në çantën e shpinës. 

ANALIZA

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se dy nga tri skafandrat që u gjetën në zonën e Fushë-Kuqes në Mamurras, nuk kanë lidhje me ngjarjen e vrasjes së biznesmenit Artan Santo, mëngjesin e së enjtes në zonën e ish-Bllokut. Madje, ekspertiza që është bërë ka nxjerrë konkluzionet se edhe motori që është gjetur në të njëjtin garazh që mendohet se ka lidhje pronësie me vëllain e Gëzim Çelës, Kujtimin, ka të njëjtën markë dhe numër serie me dy skafandrat që janë analizuar, por ka markë tjetër dhe numër kubikësh tjetër nga ai që është përdorur në vrasjen e Santos në kryeqytet. Sipas grupit hetimor, arsyeja se pse është marrë në pyetje Kujtim Çela në dhomën e paraburgimit, është se familja e tij ka bërë disa lëvizje bankare në “Bankën Credins”, ku Artan Santo ishte drejtor ekzekutiv. Mësohet se gjatë marrjes në pyetje, Çela ka thënë se për ngjarjen nuk di gjë, pasi ka qenë në izolim, në kushtet e paraburgimit. 

HETIMET

Transaksionet financiare përmes “Bankës Credins” është një prej pistave kryesore të hetimit mbi vrasjen e bankierit Artan Santo. Burime nga grupi hetimor thanë se po shqyrtohen të gjitha lëvizjet financiare të bëra kohët e fundit nëpërmjet kësaj banke, por pa përjashtuar edhe pistat e tjera. Nën hetim janë edhe transaksionet që kjo bankë ka bërë jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë tij. (Gazeta Shqiptare)