Moto GP: Si do të duket sezoni i pazakontë i 2020-ës?

Moto GP do të rinis në Jerez.

Sport

15/06/2020 12:30

Sezoni 2020 i Moto Grand Prix do të rinis në Jerez, pas një pauze të gjatë që erdhi obligative si pasojë e Covid-19.

Me një kalendar krejtësisht ndryshe, normalisht se edhe sezoni do të ketë krejtësisht pamje tjetër.

Promotorët e Moto GP, Dorna, kanë zbuluar së fundmi se si do të duket ky sezon i pazakontë, por i shumëpritur në garat e shpejta të motoçikletave.

Kalendari do të jetë me 13 raunde, i bazuar në Evropë, me Jerezin, Spielberg, Misano, Aragon dhe Valencia që do të mbajnë nga 2 evenimente, transmeton lajmi.net.

Dera është lënë e hapur edhe për ndonjë garë tjetër pas garës së fundit në Valencia në nëntor, edhe pse sezoni nuk mund të shkojë më larg se 13 dhjetori, dhe përfshinë maksimalisht 17 gara (përfshirë raundin e Katarit në Moto2 dhe Moto3).

Ky kalendar i ri, me disa gara që zhvillohen jashtë orareve të tyre normale, do të paraqesin edhe problemet e tyre, ndërsa udhëzimet strikte për sigurinë e Covid-19 mund të godasin ekipet më të vogla të Moto2 dhe Moto3, në aspektin financiar.

Gjithçka do të jetë ndryshe në këtë sezon, përveç favoritit për të triumfuar, i cili viteve të fundit nuk ndryshon – Marc Marquez. /Lajmi.net/