Mosvazhdimi i ulëseve të rezervuara ndikon në stabilitet politik

Deputeti Petar Miletic mendon se vazhdimi i ulëseve të rezervuara do të inkurajonte serbët e veriut që të vazhdojnë integrimin e tyre në shoqërinë kosovare. Nëse ato nuk vazhdohen, sipas tij, kjo do të ndikojë në stabilitetin politik të Kosovës.

Lajme

12/03/2014 21:27

Deputetët serbë u janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese në mënyrë që kjo e fundit të interpretojë se nëse dy mandatet e kaluara kanë qenë të plota. Por, Gjykata Kushtetuese në përgjigjen e saj ka thënë se deputetët nuk janë kompetentë për të parashtruar një kërkesë të tillë.

Deputeti serb nga radhët e SLS, Petar Miletic mendon se ata kanë kërkuar që Gjykata Kushtetuese të sqarojë se nëse kanë kaluar dy mandate apo jo.

“Nuk mendoj se reforma zgjedhore largon vendet e rezervuara. Jam i sigurt se nuk largohen me të. E tëra çka tani mbetet për t’u sqaruar është nëse kanë kaluar ato dy mandate apo jo. Ne i jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese për ta sqaruar këtë çështje, mirëpo Gjykata Kushtetuese na është përgjigjur se ne nuk jemi ata që do të duheshim të parashtronim një çështje të tillë, por është Presidenca apo Qeveria”.

Miletic mendon se nëse nuk bëhet vazhdimi i vendeve të rezervuara kjo gjë do të ndikonte në stabilitetin politik të vendit.

Ai thotë se serbët e veriut duhet të inkurajohen që të integrohen, dhe “ku ka më mirë që ky inkurajim të bëhet me një mandat tjetër për vende të rezervuara”.

“Se a do të ndikojë mos vazhdimi i vendeve të rezervuara në stabilitetin politik, mendoj se po, në veçanti tek popullata në veri të Mitrovicës sepse ata njerëz të cilët kanë dalë në zgjedhje kanë dëshmuar vullnetin e mirë për t’u integruar në shoqërinë kosovare dhe në organet e drejtësisë së Kosovës e që ende nuk janë”.

“Unë mendoj se ata duhet të inkurajohen dhe mendoj se ky inkurajim do të vinte me vazhdimin e vendeve të rezervuara përkrahë atyre të garantuara”, ka thënë Petar Miletic për RTK.