Mospranimi në UNESCO, i dhimbshëm

Anëtari i Kryesisë së Nismës për Kosovën, Bajram Hasani, ka thënë se mosanëtarësimi i Kosovës në UNESCO është pasojë e dështimit të politikës së jashtme të vendit.

Lajme

09/11/2015 16:00

Ai në profilin e vet në “Facebook” ka shkruar se Kosova e ka humbur edhe një betejë përballë Serbisë, e cila, sipas tij, me çdo kusht po tenton ta pengojë zhvillimin e vendit. “Prandaj, duke u nisur nga kjo, Qeveria e Kosovës duhet t’i thërrasë mendjes dhe t’i rishikojë edhe një herë marrëveshjet e arritura në Bruksel”, ka deklaruar Hasani.

Postimi i plotë i Hasanit  në “Facebook”:

Mospranimi i Kosovës në UNESCO është një dështim i dhimbshëm për ne, por është edhe një dëshmi e mirë e dështimit të shtetit tonë, konkretisht politikës së jashtme. Kosova e humbi edhe një betejë përballë Serbisë, e cila me çdo kusht po tenton ta pengojë zhvillimin e vendit. Kjo tregon shumë mirë politikën nënshtruese të qeveritarëve tanë përballë Serbisë. Pse atëherë na është thënë se marrëdhëniet tona me Serbinë po normalizohen?! Pse Kosova duhet që në çdo raund të bisedimeve e në emër të normalizimit të marrëdhënieve të nënshkruajë marrëveshje në dëm të Kosovës?! Për çfarë na shërbyen neve këto marrëveshje, kur Serbia çdo ditë e më shumë po na bënë të kuptojmë se as që e ka ndërmend ta ndalë luftën për pengimin e vendit tonë dhe që askujt në qeverinë serbe nuk i shkon mendja të bëjë një hap drejt normalizimit? Zoti kryeministër, z. zëvendëskryeministër, a i quani këta hapa të Serbisë, hapa drejt normalizimit?! Gjithçka po shihet këtu, veç këndellje e raporteve jo. Prandaj, duke u nisur nga kjo, Qeveria e Kosovës duhet t’i thërrasë mendjes dhe t’i rishikojë edhe një herë marrëveshjet e arritura në Bruksel.