Mosplotësimi i dëshirës për koalicion me Vetëvendosjen, po e ftoh Bahtirin nga AKR-ja?

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri javë më parë deklaroi se më nuk është pjesë e AKR-së së Behgjet Pacollit.

Lajme

07/08/2019 20:09

Bahtiri tha se më nuk është pjesë e partisë dhe se nuk duhet të pyetet për ngjarjet dhe zhvillimet që ndodhin brenda kësaj partie.

“Unë nuk jam më me AKR-në, nuk jam më në partinë e Behgjet Pacollit”, kishte thënë i pari i Mitrovicës.

Mirëpo kjo deklaratë e tij, nuk u sqarua asnjëherë pse u dha nga vet ai. Pozicioni i Bahtirit ka mbetur i njëjtë, ai nuk ka lëvizur nga AKR madje ndryshoi deklaratën duke thënë se kurrë në jetë s’ka qenë më i fortë se tani.

Një zyrtar nga AKR, i ka thënë lajmi.net se Bahtiri është ende pjesë e partisë, dhe se asnjëherë nuk ka thënë zyrtarisht se nuk është pjesë e saj.

“Është ende pjesë e partisë, edhe atëherë kur është përhap lajmi ne zyrtarisht nuk kemi pas asgjë absolut, as me gojë e as me shkrim, ai është nënkryetar normal që partia ish dashtë me qenë në dijeni”, ka thënë ai.

Sipas tij, ka mund të ndodh që ky lajm të jetë deformuar, pasi Bahtiri ndonjëherë jep deklarata edhe kur është nervoz.

“Ndoshta edhe është deformuar lajmi, pasi ndodhë që ka qenë nervoz që s’po mund ta bashkojë Mitrovicën dhe e ka lëshuar një deklaratë të tillë. Përplasje në parti nuk ka pas”, ka përfunduar ai.

Theksojmë se arsye për largimin e Bahtirit nga partia, u tha të jetë deklarata e nënkryetarit të AKR-së, Fatmir Matoshi i cili theksoi se partia që ai i takon janë gatshëm të hyjnë të vetëm në zgjedhje.

Ndërsa, Bahtiri po preferon të hyjë në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, të Albin Kurtit.

Edhe në zgjedhjet e kaluara, Bahtiri e dëshiroi një koalicion të tillë parazgjedhor, por lideri i partisë nuk ia plotësoi dhe shkoi në koalicion me LDK-në e Isa Mustafës.  Se a do t’i plotësohet dëshira Bahtirit në këto zgjedhje të parakohshme, mbetet të shihet, pasi AKR dhe VV nuk kanë vija të kuqe për njëra tjetrën.

Stabil në AKR, nuk është as Labinot Tahiri. Në Kuvendin e Kosovës ai ka vendosur të qëndroj si deputet i pavarur përderisa deklaron se ende është pjesë e AKR-së.

Tahiri të shumtën e herëve, ka dhënë përkrahje ndaj liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj dhe atij të VV-së, Albin Kurti.

Mirëpo deri më tani, nuk ka përmendur se do të bëj ndonjë ndryshim të partisë. /Lajmi.net/