Mospërmendja e UÇK-së nga Gërvalla, analistët e vendosin mes lirisë së shprehjes dhe përgjegjësisë institucionale

23 vjet më parë, më saktë me 12 qershor të vitit 1999, forcat e NATO-s hynë në Kosovë, ky moment bëri që kjo ditë të njihet si Dita e Çlirimit të Kosovës.

Lajme

15/06/2022 22:15

Në 23-vjetorin e kësaj ngjarje, figura të ndryshme politike reaguan duke kujtuar e duke çmuar lartë sakrificën që ka bërë Ushtria Çlirimtare e Kosovës me luftëtarët e saj, shkruan lajmi.net.

Një reagim më 12 qershor të këtij viti erdhi edhe nga Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla.

Për dallim nga reagimet e të tjerëve që përveç NATO-s dhe ndihmës ndërkombëtare, theksuan edhe rolin e UÇK-së, Gërvalla në anën tjetër, në reagimin e saj të bërë në Facebook, nuk ka përmendur fare UÇK-në.

Ky postim i Gërvalles në këtë ditë të shënuar dhe të cilësuar se Dita e Çlirimit të Kosovës, ngjalli reagime të shumta dhe kryesisht të ashpra ndaj ministres, reagime në të cilat kritikohej por edhe kërkohej shkarkimi i saj.

Rreth kësaj, për kritikat ndaj Gërvallës por edhe për kërkesat që po bëhen që ajo të shkarkohet, për lajmi.net, janë prononcuar njohësit e çështjeve politike, Gazmir Raci dhe Arton Demhasaj.

Raci në prononcim e tij tha se duhet respektuar mendimi i secilit dhe se është absurde që sot të kryqëzojmë dikë për një status që ka shkruar. Përveç tjerash, Raci ka thënë se Gërvalla nuk ka probleme me luftën për çlirim pasi që babai i saj është vrarë për lirinë e Kosovës.

“Na jemi duke jetuar në një shoqëri demokratike, nuk është shoqëri komuniste me u marrë masa për dikë që e shkruan një status.  Ajo është mendimi i saj, na duhet me respektuar. Duhet me respektua secili mendimin e secilit. Gërvalla e ka shpjeguar edhe në media këtë çështje. Përveç kësaj, znj. Gërvalla vjen nga një familje patriotike që babai i saj është vra nga regjimi i serb. Kështu që është absurde sot me kryqëzuar një person publik për një status që e ka shkruar. Ne jetojmë në demokraci liberale. Edhe pastaj unë nuk besoj që znj. Gërvalla ka probleme me luftën tonë për çlirim pasi që baba i saj ka vdekur për lirinë e Kosovës, është vrarë”, ka thënë Raci.

Më ndryshe nga Raci, është deklaruar Arton Demhasaj.

Demhasaj ka thënë se përderisa Gërvalla nuk ka qenë në funksione shtetërore ka pasur një qasje ndaj UÇK-së, ku sipas analistit, është vërejtur një dozë e mospranimit të kontributit që ka dhënë UÇK-ja për çlirimin e vendit.

“Znj. Gërvalla sa nuk ka qenë në funksione shtetërore, pak a shumë ka pasur një qasje të tillë ndaj UÇK-së. Vërehet një dozë e mospranimit të kontributit që e ka dhënë UÇK-ja në çlirimin e vendit. Por tash si ministre e Punëve të Jashtme dhe njëkohësisht si zëvendëskryeministre, mendoj që ka përgjegjësi tjetër dhe ka përgjegjësi shtetërore”, ka thënë ai.

Tutje, njohësi i politikës, ka shtuar se anashkalimi i UÇK-së në Ditën e Çlirimit të Kosovës ka qenë jo i duhur dhe se kritikat që i bëhen ministres janë të drejta.

“Kur flasim për një deklaratë ose komunikatë në Facebook për ditën e çlirimit të Kosovës, anashkalimi i UÇK-së mendoj që është jo i duhur. Për shkak se nuk po e përmend bazamentin kryesor nga i cili ka ardhur edhe intervenimi i NATO-s në Kosovë. E përmend intervenimin e NATO-s por nuk e përmend luftën e UÇK-së dhe nuk e përmend UÇK-në. Prandaj mendoj që kritikat që bëhen në drejtim të saj mendoj që janë të drejta, sepse nuk duhet që dikush që është udhëheqës i institucioneve të Kosovës, të ketë një qasje të tillë të anashkalimit të luftës së UÇK-së”, ka përfunduar Demhasaj.

Duhet të kujtojmë që Donika Gërvalla, në emisionin Info Box të Radio Televizionit Dukagjini, pak vite më parë, kishte deklaruar vetë se ajo ka dorëzuar në Gjykatën Speciale zarfe të mbyllura, të cilat ministrja në atë kohë, i cilësonte si dëshmi.

“Unë kam dëshmi madje me shkrim, në zarfe të mbyllura të cilat i janë paraqitur organeve të ndryshme. I kam personalisht në shtëpinë time në Bon”, kishte deklaruar në atë kohë Gërvalla.

Më tej, kur Gërvalla ishte pyetur se ku i kishte dërguar këto dokumente dhe nëse bëhej fjalë për dorëzimin e këtyre dëshmive në Gjykatën Speciale, Gërvalla e kishte pohuar një gjë të tillë.

Përndryshe, krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, në vitin 2020 janë arrestuar dhe ende po bahen në paraburgim nga Dhomat e Specializuara në Hagë. /Lajmi.net/