“Mosmarrëveshjet VV-LDK janë ogur i keq për mënyrën se si do të qeveriset”

Analisti politik, Dardan Velija, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës duhet ta arrijnë marrëveshjen e koalicionit për shkak se përveç tjerash kanë edhe përgjegjësi dhe detyrë që t’i përgjigjen elektorateve të tyre.

Lajme

17/01/2020 19:34

“Të dyja partitë i fituan zgjedhjet nën moton që do ta ndryshojnë Kosovën dhe ta heqin nga një gjendje e mjerueshme që po e shohim se është dhe tani po sillen sikur Kosova të ishte Austri, sepse edhe atje vonoi goxha gjatë themelimi qeverisë, edhe në Izrael edhe Belgjikë dhe vende tjera që ka krizë në këtë proces, por nuk është korrekte prej të dyja partive që ta mbajnë vendin zvarrë”.

“Në vitin 2017 rritja ekonomike në vend ra në dy përqind për shkak të vonesës së krijimit të qeverisë. Mendoj që është e pajustifikueshme qasja e dy partive”.

“Qytetarët i kanë votuar këto dy parti edhe për shkak të premtimit se do ta bëjnë koalicionin mes vete. Mosmarrëveshjet e tanishme mes tyre janë një ogur i keq për mënyrën se si do të qeveriset. Vota është besim avans që i jepet partive politike”.

“Krijimi i qeverisë do të ishte shumë më i lehtë sikur të krijohej koalicioni parazgjedhor. Të dyja partitë e kanë fajësuar njëra tjetrën kur kjo nuk ndodhi, dhe e njëjta po ndodh edhe tani pas zgjedhjeve”.

“Në mënyrën se si është interpretuar kushtetuta e Kosovës, përgjegjësia i takon partisë së parë, por në anën  tjetër LDK-së i duhet që të dëshmojë se nuk shkohet siç është shkuar deri më tani, kur partisë së dytë i është mundësuar që të kërkojnë më shumë se sa që i ka takuar në të kaluarën, kur kemi parë që partitë e vogla kanë arritur të marrin numër më të madh të ministrave se sa që kanë pasur deputetë në parlament”.

“Megjithatë, edhe VV edhe LDK kanë përgjegjësi dhe detyrë që t’i përgjigjen elektorateve të veta që ta krijojnë qeverinë. Pyetja është se si mund t’i shtyjmë politikanët që t’i marrin vendimet e shpejta dhe të mira pa presionin ndërkombëtar dhe pa iniciativa për ndarjen e kulaçeve”.

“Nuk besoj që zgjedhjet do të ishin në favor të vendit,  por të kushtueshme dhe nuk ka asnjë garanci se çfarë do të ndodhë më pas. Do të ishte një bast me peshë të madhe publike i bërë nga partitë politike. Ne si qytetarë do të ishim pjesë e bastit pa miratimin tonë”.