Mosmarrëveshjet për poste mund të zgjasin pafundësisht, por LDK-së i ka kaluar koha

Kanë kaluar më shumë se dy muaj që kur janë mbajtur zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe akoma nuk është arritur ndonjë marrëveshje në mes të VV-së dhe LDK-së.

Lajme

09/12/2019 19:09

Apetitet për poste politike, tash e dy muaj kanë pamundësuar arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Është LDK-ja ajo e cila po insiston tash e sa kohë për postin e presidentit si dhe në vazhdimësi të dyja palët po “sulmohen” me statuse në rrjete sociale e me deklarata nëpër medie, por që prej takimit të fundit në mes të Albin Kurtit e Isa Mustafës javën e kaluar më nuk është zhvilluar asnjë takim.

E tërë këtë situatë të krijuar, analisti Belul Beqaj, po e cilëson si “tuxharrllëk” klasik të LDK-së.

I pyetur nga lajmi.net se si e sheh këtë situatë të krijuar nga VV dhe LDK, Beqaj ka thënë se LDK nuk po kupton që i ka kaluar koha.

“Tuxharllëk klasik i  logjikës së tejkaluar të “elitës” politike të LDK-së, e cila nuk po kupton se i ka tejkaluar duhma e kohës!”, u shpreh Beqaj.

Ai po ashtu ka thënë për lajmi.net se këto mosmarrëveshje në mes të këtyre dy subjekteve politike mund të zgjasin pafundësisht.

“Kjo mund të zgjasë pafundësisht nëse brenda LDK-së, nuk  këndellën se ata nuk munden për të  fitua me tuxharllëk atë që e kanë humb në zgjedhje. Sovrani ka votuar për ndryshim, ata po përpiqen për të rikthyer logjikën e shtetit të kapur me të cilën kanë bashkë qeverisur me partitë që nxitën pakënaqësinë dhe ndryshimin nga sovrani”, theksoi Beqaj për lajmi.net.

Se a duhet ndonjëra parti të lëshoj pe, Beqaj ka thënë se asnjëra parti nuk duhet ta bëj këtë, por që siç u shpreh ai, LDK-ja duhet të kuptoj se nuk i takon diçka që rikthen në mendje qytetarit shtetin e kapur.

“Nuk nevojë të lëshoj pe asnjëra parti. LDK-ja duhet, në interes të së ardhmes së saj,  të kuptoj se nuk i takon diçka që rikthen  në mendje qytetarit shtetin e kapur”, ka thënë Beqaj për lajmi.net.

Theksojmë se Lëvizja Vetëvendosje është partia e parë që ka dalë fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit, ndërkaq Lidhja Demokratike e Kosovës është radhitur e dyta.

Që nga koha kur edhe janë shpallur rezultatet përfundimtare, këto dy subjekte politike kanë mbajtur disa takime në lidhje me harmonizimin e planprogramit qeverisës, por pengesë deri në përfundimin e marrëveshjes për bashkëqeverisje vazhdon të mbetet ndarja e posteve. /Lajmi.net/