Moska fton Obamën për 70-vjetorin e fitores mbi fashizmin

Moska zyrtare ka ftuar presidentin amerikan, si dhe shumë shefa shtetesh për të përkujtuar në muajin maj të vitit të ardhshëm 70-vjetorin e fitores së aleatëve në Luftën e Dytë Botërore, njoftoi sot një këshilltar i Kremlinit.

Bota

22/12/2014 23:01

Sigurisht, deklaroi me seriozitet Juri Ushakov, si përgjigje ndaj një kërkese mbi dërgimin e një ftese për presidentin amerikan.

“Lista e të ftuarve është përpunuar duke u bazuar në listën e përvjetorit të fitores. Sigurisht që ne ftojmë të gjitha vendet e koalicionit antihitlerian, aleatët tanë, partnerët tanë më të rëndësishëm dhe më me influencë, si dhe ato që përbëjnë vendet e BRICS-it”, theksoi ai, raporton agjencia e lajmeve AFP.

Sipas Ushakov, lideri i Koresë Veriore, Kim Jong-Un mund të jetë gjithashtu i pranishëm në Moskë me rastin e këtyre përkujtimeve, që pritet të zhvillohen më 9 maj, në ditën e kapitullimit të Gjermanisë naziste, pasi që edhe atij i është dërguar një ftesë.

Mirëpo, aneksimi i Krimesë dhe konflikti i përgjakshëm mes rebelëve pro-rusë dhe forcave qeveritare në lindje të Ukrainës ka shkaktuar krizën më të rëndë në marrëdhëniet mes Rusisë dhe perëndimorëve që prej Luftës së Ftohtë. Kjo mund të jetë arsye që Obama, por edhe liderë tjerë perëndimorë të mos shkojnë në Moskë.