Mosha, pozita, karriera – Kush është Florent Hadërgjonaj, përforcimi i radhës i Kosovës

16:09 | 9 Maj 2019

Florent Hadërgjonaj me kënaqësi të madhe ka njoftuar të gjithë se ka vendosur të përfaqësojë Kosovën në nivel ndërkombëtarë.

Kosova, për dy ndeshjet e radhës së muajit qershor, do të mund të llogarisë edhe në shërbimet e Florent Hadërgjonajt, i cili paraqitet te Huddersfield në Premierligë.

“Përshëndetje të dashur miq. Dua që të ju njoftoj se tani sapo kam marrë pasaportën e Kosovës dhe jam gati që të luaj me fanellën më të bukur në botë”, ka shkruar fillimisht Hadërgjonaj në Facebook, përcjell ‘lajmi.net’.

Hadërgjonaj është 24 vjeçar, ka lindur në Zvicër, në një familje me prejardhje nga komuna e Deçanit të Kosovës.

24 vjeçari luan në pozitën e mbrojtësit të djathtë, dhe do të jetë një aset shtesë për Kosovën.

Edhe pse i ri në moshë, prurja e re e Kosovës tashmë ka veshur fanellat e disa skuadrave të njohura të Evropës.

Në vitin 2013, Hadërgjonaj ka debutuar në elitën e futbollit zviceran te Young Boys, për të cilën skuadër regjistron 71 paraqitje.

Viti 2016 e ka gjetur Hadërgjonajn në Bundesligë te Ingolstadt, ndërsa që nga sezoni 2017/2018 ka qenë pjesë e Huddersfield, në Premierligë, për të cilën skuadër është paraqitur 47 herë./Lajmi.net/