Mosarritja e marrëveshjes VV-LDK-Nisma, mund ta çojë vendin përsëri në zgjedhje?

Që nga shpallja e rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje është duke negociuar me Lidhjen Demokratike, për të lidhur koalicion bashkëqeverisës.

Lajme

14/11/2019 14:54

Mirëpo, këtyre dy partive së fundi ia ka vështirësuar punën koalicioni Nisma-AKR-PD, pasi të njëjtëve me vendimin e PZAP-së për anulimin e votave të ardhura me postë nga Serbia iu ka mundësuar hyrja në Kuvend.

Me hyrjen e këtij koalicioni në Kuvend, Vetëvendosje i humb tre deputetë, ndërsa LDK një.

VV dhe LDK do të obligohen të bëjnë koalicion edhe me një parti të tretë, pasi do mbesin vetëm me 57 ulëse, numër ky që po ia pamundëson krijimin e qeverisë.

Njohësi i çështjeve politike, Ramush Tahiri ka thënë për lajmi.net se tani janë ashpërsuar kriteret dhe se ka gjasa që vendi të shkojë në zgjedhje.

“Tash duke e vështirë që Albin Kurti të bëhet kryeministër me kalimin e Nismës dhe AKR-së, sepse janë ashpërsuar kriteret dhe gjasat po duken sikur vendi me shku në zgjedhje të reja dhe të mos zgjedhet Kurti fare kryeministër”, ka deklaruar Tahiri.

Ndërsa, Blerim Burjani thotë se mbi 1 mijë runimërime që tani është duke i bërë KQZ-ja po e degradojnë rezultatin zgjedhor të 6 tetorit.

“Pas këtyre runumërimeve do kuptohet përfundimisht nëse Nisma e ka kaluar pragun zgjedhor. Kjo parti ka bërë dëme të mëdha në qeverijes PAN, materiale dhe institucionale. Të merresh me këtë parti do të thotë të kthesh korrupsionin, nepotizimin dhe gjëra tjera”, është shprehur Burjani.

Tutje, ai ka thënë se qytetarët nuk e duan Nismën në koalicion por vetëm VV-në dhe LDK-në.

“Qytetarët nuk kërkojnë një Nismë në koalicion por VV-në dhe LDK-në, ose do ketë një koalicion të tillë ose duhet shkuar në qeveri me mandat reformues të përbërë nga ekspert që do ta pastrojnë shtetin prej të kqijave me përkrahje të këtij Kuvendi aktual. Një kryeministër dhe ministra profesional që do të rregullojnë reformimin shtetëror. Ndërsa dialogu të udhëhiqet nga liderët politik dhe një grup uniteti që do sjellin në Kuvend një marrëveshje Kosovë – Serbi”, ka përfunduar Burjani.

Ndërkohë, nga Vetëvendosje i kanë thënë lajmi.net se nuk mund të flasin asgjë pa u bërë certifikimi i zgjedhjeve.

Ndërsa, Enver Hoti nga Nisma Socialdemokrate, ka thënë se akoma nuk kanë diskutuar brenda partisë se cilat poste do t’i kërkojnë nga Kurti në rast se arrijnë të hyjnë në Kuvendin e Kosovës. /Lajmi.net/

Lexo edhe:

Nuk mohohet koalicioni mes Kurtit dhe Limajt, flasin nga VV e Nisma