Mos u mashtroni
Ramush Haradinaj kërkoi nga qytetarët në Prizren të mos mashtrohen nga premtimet milionëshe që po bëhen në këtë qytet. Kjo është tallje, tha ai. Pohoi se po punon çdo ditë për ta rrëzuar Qeverinë.
Lajme
Ramush Haradinaj dhe Nexhat Daci kanë hapur zyrtarisht fushatën e “Koaliconit për Kosovën” në Prizren, prej nga kanë thirrur elektoratin e kësaj komune të votojnë për ndryshime dhe për t’i dhënë fund qeverisjes aktuale.
Kreu i AAK’së dhe ai i LDD’së deklaruan në Prizren se qytetarët e këtij qyteti meritojnë një jetë më të mirë, një mirëqenie me të mirë dhe punësim.
Sipas tyre, këto mund të arrihen nëse votojnë për koalicionin AAK-LDD dhe kandidatin e tyre për Kryetar të Komunës së Prizrenit, Lulëzim Kabashin.
Haradinaj ka pyetur pjesëmarrësit e këtij tubimi nëse janë të gatshëm për ndryshim.
“Mos u mashtroni nga premtimet milionëshe që po bëhen në Prizren gjatë kësaj fushate zgjedhore”, ka thënë ai.
“Kur dëgjoj fjalimet në televizor nga politikanët për Prizrenin, më besoni që edhe unë po çuditem. Vërtet ata po tallen me këtë qytet kur po premtojnë miliona euro”.
“Prizreni është një vend i rëndësishëm në Kosovë, është një vend ku është një e elitë e të mençurve, e punëtorëve e patriotëve, historisë, kulturës traditës, politikës”.
“Ne si Aleancë po punojmë çdo ditë për rrëzimin e Qeverisë aktuale. Ndryshimet për Kosovën fillojnë nga Prizreni”.
“Ju lus, punoni për dy ndryshime, për atë që do të ndodhë në qytetin tuaj, por edhe për atë që do të ndodhë në Kosovë, në të cilën çdo ditë po punoi, që të vijë dita, sa më shpejtë me ardhë lajmi i mirëpër ta ndërruar qeverisjen nacionale”.
Nexhat Daci, ndërkaq, tha se se ndryshimet duhet të nisin nga Prizreni.
Ai u bërë thirrje qytetarëve të votojnë për kandidatin e AAK-LDD për Kryetar të Prizrenit, Lulëzim Kabashin.
“Anija e Kosovës ka caktuar destinimin e saj herët dhe mirë, drejt Amerikës dhe Bashkimit Europian, por miq të dashur shpejtësia në të cilën lundrojmë ka destinimi i dëshiruar, është ngadalësuar së tepërmi dhe ka rrezik që erërat që fryjnë nga lindja, që po mundohen t`i ndërrojnë destiminim, ta pengojë ecjen e saj dhe zhvillimin e Kosovës”.
“Prandaj, është momenti historikë që të përshpejtohet ecja e Kosovës në qëllimet e saj strategjike, në integrime euroatlantike, por mbi të gjitha për një Kosovë që të gjithë qe duan\”.
Kandidati për Prizren Lulëzim Kabashi premtoi se do ta punësojë nga një anëtar të çdo familjeje në Prizren.
“Është e realizueshme, sepse unë dhe ekipi i koalicionit AAK-LDD me qytetarët e komunës së Prizrenit kemi vendosur që të bëjmë atë të realizueshme. Qëllimi, sa më shumë vende pune dhe çdo familje të ketë së paku një të punësuar deri në fund të afatit tonë qeverisës”.
“Si do të bëjmë këtë, zhvillimi ekonomik i bazuar në katër shtylla kryesore. Në funksionalizim të zonave industriale, në bujqësi, turizëm dhe ndërtim, do të rrisim buxhetin e komunës dhe do ta orientojnë në projektet me përparesi”.