Mos u frikësoni
Qemajl Mustafa nuk sheh arsye që rivalët e tij të frikësohen, ende pa filluar zyrtarisht fushata. Në fund të fundit, ai thotë se është qytetari gjilanas ai që do t’ia tregojë vendin secilit.
Lajme
Kryetari aktual i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, të cilin PDK e ka rikandiduar sërish për këtë post, ka një porosi për rivalët e tij në këtë garë.
Në një intervistë për RajoniPress, Mustafa u ka bërë apel atyre që të mos të frikësohen, sepse, gjithçka, sipas tij, do të dihet më 3 nëntor kur sovrani do të vendosë për të parin e Gjilanit.
“Pra, qytetari është ai që na tregon se kush ka punuar mirë e kush keq dhe cilit i beson sërish që të mbetet në fron”.
“Së pari, rivalët nuk kanë nevojë të frikësohen sepse është ende herët dhe fushata akoma nuk ka filluar. Po ashtu, nuk vendosin kandidatët e partive politike se a jam unë kandidati i duhur nga PDK për të konkurruar sepse këtë e ka vendosur elektorati dhe lidershipi i PDK’së”.
”Unë nuk them se kemi bërë mjaft për Gjilanin, por po them se kemi bërë shumë më shumë sesa disa që e synojnë këtë pozitë. Kemi nisur dhe po i realizojmë projektet më kapitale për Gjilanin dhe kjo është meritë e kësaj qeverisjeje.”
Një ditë më herët Mustafa është akuzuar nga kandidati i LDK’së për Kryetar të kësaj komune, Lutfi Haziri, se e ka dërguar në prag të kolapsit finaciar Komunën e Gjilanit.
Mustafa nuk i ka komentuar këto akuza, duke thënë se ndihet komod me rikandidimin e tij, e duke besuar se do të ketë prapë votën e qyetarëve të Gjilanit, për të cilët pohon të ketë punuar me nder e përkushtim.