Mos të preken votat

Kryetari i AKR'së, Behgjet Pacolli shprehet i shqetësuar për mundësinë e manipulimit të votave.

Lajme

09/10/2013 08:51

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka bërë thirrje që në zgjedhje lokale të 3 nëntorit mos të bëhen manipulime të votave.

Pacolli, i cili është edhe President i Aleancës për Kosovën e Re, pjesë e koalicionit qeveritar, deklaroi për “Epoka e Re” se është fat i keq i Kosovës që zgjedhjet po mbahen me legjislacionin e vjetër zgjedhor.

“Ligji aktual i zgjedhjeve nuk krijon kurrfarë transparence”.

“Për hir të rrugëtimit drejt Bashkimit Europian dhe dëshirës për të ndërtuar një shtet të civilizuar, mos të preken votat e qytetarëve, mos të bëhet presion tek ta dhe mos të manipulohen votat e tyre”.

“Kam insistuar dhe insistoj fuqishëm të vazhdohet reforma zgjedhore. Por, nuk e di se çka ka ndodhur dhe pse mbeti në gjysmë procesi i reformave zgjedhore”.

“Vallë, mos kanë njerëzit shansin më të mirë prapë t’i manipulojnë votat me legjislacionin në fuqi? Është fat i keq që kemi hyrë në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit me ligj të vjetër. Me një ligj që nuk krijon kurrfarë transparence dhe që nuk shpreh as minimumin e dëshirës së qytetarëve”.