Mos protesto, nesër!

17:24 | 17 Prill 2015

Foto nga: Arben Rugova

Në Kosovë ka arsye të protestohet pothuajse çdo ditë, por përse duhet protestuar nesër!?

Keqqeverisja e Kosovës ka filluar prej ditës së parë të çlirimit. Janë provuar të gjitha partitë politike. Tashti me qeverisjen e Prishtinës po provohet edhe Vetëvendosja, për të cilën hezitonim “ta grahnim me një thupër” me partitë tjera, po ja që fatkeqësisht dhe kjo ka të njëjtin mentalitet, vetëm me demagogji tjetër.

U bë gati një vit e gjysmë që Lëvizja Vetëvendosje qeverisë me kryeqytetin, dhe përditë e më shumë po dëshmohet se e keqja nga qeverisja në Kosovë vështirë se mund të largohet në formën që na ofrojnë partitë tona politike, të cilat, tashmë të gjithë e kemi kuptuar se janë më shumë klane interesash të grupeve të caktuara.

Për t’ia hequr “maskën” këtij shkrimi, kam votuar Shpend Ahmetin, jo Vetëvendosjen, në zgjedhjet lokale. Sepse, ashtu sikurse shumë të tjerë, e parashikoja si kandidatin e vetëm për ta mundur Isa Mustafën dhe bashkë me të, t’i thuhet “stop” keqqeverisjes në Prishtinë, e ndoshta më vonë edhe në Kosovë.

Por, për habinë timen dhe të shumë qytetarëve të Prishtinës, pothuajse asgjë nuk ka ndryshuar që prej kohës kur Mustafa u largua nga pozita e kryetarit të Komunës.  Veprat “madhore” të Vetëvendosjes në Prishtinë janë vendosja e rendit në Komunë, kunjat në trotuare, mbjellja e luleve në pranverë, si dhe disa projekte në letër të studentëve të arkitekturës se si do të mund të duken parqet e reja të Prishtinës.

Kështu, në vend që të punonte ditë e natë për ta nxjerrë Prishtinën nga mjerimi që e trashëgoi, kryetari Shpend Ahmeti, i cili është i “sabotuar” herë nga qeveria, nga Kuvendi Komunal, e shpesh edhe nga “veteranët” e partisë së tij, nuk ka arritur as për së afërmi të dëshmojë fuqinë që ia ka dhënë elektorati.

Natyrisht, është e vështirë të përballesh me klanet e interesit që i ka instaluar LDK-ja në Prishtinë, por nuk mjafton, shembull, të ndalen ndërtimet pa leje, dhe mijëra punëtorë të mbesin me gishta në gojë. Sa për sqarim, mirë që u ndalen këto ndërtime, sepse edhe sipas raporteve ndërkombëtare, njihen si çerdhe të shpëlarjes së milionave të pistë të krimit të akuzuar të lidhur me klasën politike. Mirëpo, kaq nuk mjafton.

Për të fituar më shumë pushtet në Kosovë, Shpendi dhe Vetëvendosje, me të gjithë anëtarët e saj, është dashur të fokusohen në Prishtinë, për t’iu dhënë shembull komunave të tjera se si duhet qeverisur. Por, ja që kryetari i Prishtinës sabotohet edhe nga partia e tij, ose ne si qytetarë nuk jemi në gjendje ta kuptojmë strategjinë e Lëvizjes Vetëvendosje edhe për disa vjet. Mbase!?

Prishtinasit, përpara se ta votonin Shpendin, votuan për të ndëshkuar Mustafën për keqqeverisjen e Prishtinës.  Ata do të protestojnë edhe kundër Mustafës kryeministër, nëse ai nuk din ose nuk don të qeverisë ndryshe Kosovën. Por, jo nesër, sepse, e para, protesta e nesërme ka të bëjë më shumë me inatin ndaj Mustafës për “tradhti” derisa LDK ishte parti e koalicionit të ashtuquajtur LVAN, dhe e dyta, edhe pse nuk shpresoj fare, Mustafa nuk kishte kur që të dëshmohej për qeverisjen e tij si kryeministër.

Prandaj, nesër, nuk ia vlen të protestohet, e aq më tepër kur Vetëvendosje nuk është pozicionuar qartë kundër dhunës, por gjithnjë lë mundësinë se do të përpiqet të largojnë barrikadën e uniformave blu, që domosdoshmërisht duhet të qëndrojnë pranë dhe t’i mbrojnë institucionet e shtetit. Të këtij shteti, të këtij që kemi.

Masa, në numër, me protestë paqësore e rrëzon çdo qeveri, dhe do të jemi me fat si shoqëri atëherë kur do ta kuptojmë dhe realizojmë këtë kur është nevoja. Ndërsa rrëzimi i qeverisë përmes dhunës, edhe atje ku kjo ndodh, në Azi, Afrikë, etj, zakonisht nuk sjell ndryshim, por kaos dhe përveç kapjes, shtetit i zihet edhe frymëmarrja.

Prandaj, jam kundër protestës, nesër! Kundër janë edhe ata dhe ato që kërkojnë ndryshimin dhe zhvillimin e shtetit dhe jo të pushtetit të askujt, as të atyre që dje ishin të gatshëm të vinin në pushtet, pikërisht me Mustafën kryeministër.

Dhe, më vjen keq që nesër nuk mund të protestoj, sepse është e qartë se ashtu sikurse partitë tjera, edhe Vetëvendosje, përpara se të na ftojnë të protestojmë për ta ndryshuar shtetin tonë, Kosovën, së pari duhet ta reformojnë vetveten. Agjendën e deritashme, të bazuar në retorikë, duhet rrotulluar në agjendë pune.

Derisa nuk ndodh kjo, derisa nuk i dëgjojmë aleatët tanë, në radhë të parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që i detyruam edhe të na “shajnë” prej mllefit dhe dëshirës që të ndryshojë Kosova, do të vazhdojë vajtimi për ato që na ndodhin, dhe vazhdimisht do të kemi ngërçe, të të gjitha llojeve…