Mos lejoni që shqiptari t’ju udhëheqë
Aleksandar Vulin alarmon votuesit e Mitrovicës së Veriut. Thotë se në këtë Komunë nuk bën kurrsesi të vijë një shqiptar në postin e Kryetarit. Në të kundërtën, ai porosit që të mos fajësohet qeveria e Serbisë.
Lajme
Ministri Serb pa Portofol, i ngarkuar për Kosovën, Aleksandar Vulin, u ka bërë thirrje votuesve të Mitrovicës së Veriut që ta votojnë kandidatin e “Listës Serbe” për Kryetar të kësaj komune, Goran Rakic, në zgjedhjet e jashtëzakonshme të së dielës.
Në tubimin përmbyllës të këtij subjekti politik që u mbajt në Mitrovicën e Veriut, Vulin ka thënë se banorët e kësaj komune “e kanë qeverinë e tyre të Serbisë dhe Serbinë e tyre e cila brengoset në çështjen e statusit dhe tërësisë territoriale të shtetit”.
“Nevojitet që të dilni në zgjedhje më 23 shkurt në numër sa më të madh dhe të mos lëni asnjë mundësi që në krye të komunës të vijë një shqiptar. Kjo nuk guxon të ndodh. Nuk ka dokument në marrëveshjen e Brukselit që e pamundëson këtë, ndërsa ju jeni ata që e ndaloni apo e lejoni këtë gjë”, është shprehur Vulin.
Sipas tij, gjithçka varet nga banorët e Mitrovicës së Veriut dhe se “askush nesër nuk mund të thotë që Qeveria e Serbisë është fajtore”.