Mos i votoni hajnat

Behgjet Pacolli ashpërson gjuhën në fushatë. Shpërthen me akuza në Gjilan.

Lajme

06/10/2013 14:04

Behgjet Pacolli u ka thënë mbështetësve të tij, të dielën, në një tubim të mbajtur në Gjilan, që të mobilizohen për fitoren e Faton Bislimit, pasi, sipas tij, AKR punon ndershëm, me profesionalizëm dhe përgjegjësi të plotë, raporton RajoniPress.

“Rrokullisni çdo gur, por mos i votoni hajnat”, ka thënë Pacolli.

“Gjilani dikur ishte një qendër e madhe e punësimit dhe industrisë kurse tani ky vend ka mbetur i izoluar dhe i nëpërkëmbur.”

“AKR nëse merr timonin për të udhëhequr me Gjilanin, atëherë ne do ta bëjmë këtë në mënyrë transparente dhe me përgjegjësi të plotë, sepse AKR investon shpirtin e vet”.

“Gjilani duhet të bëhet qytet i jetueshëm dhe ata që kanë premtuar votat dhe nuk e kanë realizuar programin e tyre, ata as nuk meritojnë të votohen. Ata duhet të kthehen kokulur”.

“AKR nuk është parti që ka punë e telashe me prokuror e gjykatës, sepse është banale që tani në shekullin 21 po ballafaqohemi me probleme banale. Gjilani është shkatërruar, sepse s`ka vizion dhe tani duhet të themi mjaft me hajni dhe abuzime. Ata që blejnë vota i pret burgu i Dubravës”, ka thënë Pacolli.

Kandidati i AKR’së për Gjilanin, Faton Bislimi, deklaroi se i ka hyrë garës për një Gjilan më të dinjitetshëm dhe më ndryshe.

“Zgjedhja para qytetarëve kësaj radhe është shumë e lehtë sepse keni mundësin që të vulosni të ardhmen e fëmijëve dhe të familjeve tuaja. Unë do të jem në shërbim të qytetarëve të mi dhe në shërbim të një Gjilani më të dinjitetshëm”.