Mos i vërshëlleni shqiptarët
Selektori i Zvicrës Ottmar Hitzfeld ka thënë se skuadra e tij synon të mbyllë çështjen e kualifikimit për në Kampionatin botëror 2014, menjëherë pas duelit me Shqipërinë të premten. Strategu gjerman ka premtuar se skuadra e tij nuk do të “fshihet” pas ndonjë barazimi, edhe pse një rezultat i tillë do t’i bënte po ashtu…

Sport
Selektori i Zvicrës Ottmar Hitzfeld ka thënë se skuadra e tij synon të mbyllë çështjen e kualifikimit për në Kampionatin botëror 2014, menjëherë pas duelit me Shqipërinë të premten.
Strategu gjerman ka premtuar se skuadra e tij nuk do të “fshihet” pas ndonjë barazimi, edhe pse një rezultat i tillë do t’i bënte po ashtu punë.
“Ne duam ta mbyllim kualifikimin ditën e premte”, deklaroi Hitzfeld në paraqitjen e tij në konferencë për shtyp. “Filozofia jonë është gjithmonë e njëjtë: futemi në çdo takim me qëllimin për të fituar. Edhe pse një barazim është i mjaftueshëm të premten për t’i hapur dyert e Kupës së Botës 2014, në Brazil, ju siguroj se duam ta fitojmë këtë ndeshje”, shtoi ai.
Në Tiranë, Hitzfeld e di se nuk do të jetë një ndeshje e rëndomtë, duke pasur parasysh praninë e gjashtë lojtarëve shqiptarë në radhët e skuadrës që drejton.
“E veçantë është, por gjithsesi kjo është vetëm një lojë futbolli. Një ndeshje ku publiku shqiptar duhet të mbështesë ekipin e tij dhe jo të vërshëllejë lojtarët tanë. Nëse ndodh, jam i sigurt se vërshëllimat mund t’u japin lojtarëve të mi motivim shtesë. Përvoja e parë në ndeshjen e Luzernës, gjithashtu, mund të na shërbejë në këtë drejtim. Ajo që do t’u kërkoj lojtarëve të mi ka të bëjë me demonstrimin e qartë të një ndjenje të fortë solidariteti në fushë”, shprehet ai.