Mos i besoni ish-pjesëtarëve të UDB’së

Analisti Muhamet Kelmendi thotë se shqiptarët të cilët kanë qenë pjesë e UDB’së janë “njerëzit më të ndyrë” të kombit shqiptar. Ai thotë se atyre nuk duhet besuar sepse ata i kanë shërbyer Serbisë.

Lajme

05/02/2014 10:16

Analisti Muhamet Kelmendi ka thënë se shqiptarët që kanë qenë pjesë e shërbimit të UDB’së, janë njerëzit më të “ndyrë” të kombit shqiptar.

Gjatë një interviste në programin e Mëngjesit në RTK, Kelmendi ka thënë se nuk e di se si “kanë fytyrë” personat që kanë qenë në UDB të dalin dhe ta pranojnë këtë gjë në media.

“Nuk duhet t’i besojmë punëtorëve të UDB’së të ish-Jugosllavisë sepse janë njerëzit më të ndyrë që ka pasur kombi shqiptar, njerëzit që i kanë shërbyer në tërësi sistemit qoftë jugosllav qoftë serb, që kanë ndjekur dhe terrorizuar masa të mëdha, aktorësh, protestuesish”.

“Prej vitit 1981 deri në vitin 1989-90, janë rreth një mijë shqiptar që policia serbe-jugosllave e udhëhequr nga UDB’a, të cilët kanë kaluar nëpër duart e tyre, dhe tani kanë marrë 10-15 vjet burg”.

“Si ka fytyrë dhe ku e ka ndërgjegjen ai njeri i UDB’së të asaj kohe, i cili ka terrorizuar, dhunuar, masakruar dhe mes të tjerash ka vrarë qytetarë shqiptar, të del tash para medieve dhe paska pas qenë ai në shërbimet e UDB’së”.

Muhamet Kelmendi thotë se dihet qëllimi i “kuzhinave të Beogradit”.

Ai thotë se UDB ka për qëllim ndezjen e konflikteve.

“Këtë e shikojë si luftë speciale e cila misionin e vet të tillë e ka edhe në Beograd, tek shërbimi sekret atje. Dhe ai shërbim sekret ka dal me të dhëna shumë të ndritshme, për të cilat ne e dimë qëllimin e asaj kuzhine të Beogradit”.

“Qëllimi është krejtësisht futja e konfliktit dhe mosmarrëveshja brenda për brenda forcave të ndryshme këtu në Kosovë, dhe e gjithë kjo bëhet me qëllim të denigrimit të atyre personave, të cilët me të vërtet i kanë bartur mbi supet e veta këto çështje ilegale”.