Mos harroni se Kosova është e varfër, me korrupsion dhe krim të organizuar!
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ia ka tërhequr vërejtjen klasës politike për zhvillimet në vend, duke thënë se lufta kundër varfërisë, korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të jenë prioritete të qeverisjes. Ajo po ashtu ka thënë se krijimi i Gjykatës Speciale nga institucionet vendore nuk do të cenojë rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
Lajme
Në një intervistë për të përditshmen Epoka e Re, presidentja ka thënë se nuk duhet harruar që Kosova është ende një vend i varfër, i pazhvilluar ekonomikisht, i goditur nga fenomenet e korrupsionit dhe të krimit të organizuar.
Duke folur rreth migrimit ilegal të qytetarëve gjatë kohës sa ka zgjatur ngërçi politik, presidentja e Republikës ka thënë se ky fenomen ka ndodhur si pasojë e vonesës së krijimit të institucioneve të reja.
“Fakti se nuk kemi pasur institucione, ka bërë që grupe të caktuara kriminale t’i gjejnë mënyrat e veprimit dhe të përfitojnë mbi kurrizin e qytetarëve tanë, që kanë kërkuar mënyra të ikjes nga vendi i tyre”.
“Unë kam bërë përpjekje të vazhdueshme të jem pranë qytetarëve të vendit pikërisht në periudhën më të rëndë, t’u kërkoj që së bashku ta vazhdojmë rrugën e ndërtimit të shtetit, t’u kërkoj ta kalojmë këtë fazë të rëndë dhe të besojmë së bashku në të ardhmen më të mirë, në një Kosovë të përparuar dhe të zhvilluar”, është shprehur Jahjaga.
Sa i përket hemelimit të Gjykatës Speciale, presidentja e Kosovës ka thënë se duhet një konsensus i gjerë shoqëror për formimin e kësaj gjykate. Sipas saj, kjo gjykatë nuk do ta cenojë rendin kushtetues të Kosovës në rast se themelohet nga institucionet vendore.
“Do të cenohej në rast se do të lejohej që një tjetër instancë ta krijonte Gjykatën Speciale, duke injoruar institucionet e vendit dhe duke funksionuar jashtë sistemit juridik të vendit”, është shprehur Jahjaga, duke shtuar se Specialja do të merret me raste individuale, assesi me përpjekjet kolektive për liri e pavarësi dhe pastërtinë e luftës dhe UÇK-së.