Mos e prekni Kushtetutën

Jakup Krasniqi thotë se nuk duhet të preket Kushtetuta sa i përket ulëseve të rezervuara. Konsideron se për ta përmbyllur reformën zgjedhore duhet vullnet i liderëve politik. Ndërsa, Ismet Beqiri rithekson se LDK është kundër ulëseve të rezervuara.

Lajme

20/01/2014 12:19

Kryeparalmentari Jakup Krasniqi shprehet kundër ndryshimeve kushtetuese sa i përket çështjes së ulëseve të rezervuara.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Krasniqi tha se se për ta përmbyllur reformën zgjedhore duhet vullnet nga ana liderëve të partive politike.

“Si Kuvend konsideroj se kjo çështje nuk mund të zgjidhet për faktin se vendimmarrja është tek liderët politikë të partive politike që janë të përfaqësuara në Kuvend, pra duhet një vullnet politik i partive politike dhe i liderëve të tyre për ta përfunduar reformën zgjedhore”.

“Duhet paraprakisht të dihet se cilat pika duhet të ndryshohen në reformën zgjedhore dhe pastaj sa ato e kanë ndikimin në Kushtetutë. Nëse partitë politike duan ta bëjnë reformën për t`i mbyllur listat, duhet të ndryshohet Kushtetuta”.

“Për çështjet e tjera konsideroj që Kushtetuta mund të mos preket por mund të merren vendime politike me ndryshim të ligjit”.

“Çështja e vendeve të rezervuara nuk duhet të jetë pjesë e Kushtetutës. Çështja e vendeve të rezervuara përfundon me këtë Kushtetutë. Absolutisht pasi është në pyetje një mandat dhe nuk ekziston asnjë arsye që për këtë çështje të ndryshohet Kushtetuta”.

Krasniqi ka thënë se është e vështirë të mbahen zgjedhjet në qershor nëse kemi parasysh afatin që duhet të mbahen zgjedhjet 6 muaj pas reformës.

\"Kryesia\"

Ndërsa deputeti i LDK’së, Ismet Beqiri, vazhdon ta mbrojë tezën e partisë së tij, se LDK është kundër vazhdimit të mandatit për ulëset e rezervuara. Por preferon qershorin për zgjedhje nacionale.

“Sa i përket zgjedhjeve ne kemi thënë dhe është biseduar se si datë e mundshme të jetë qershori dhe nuk ka ndonjë vendim. Për një vendim të tillë është kompetent presidentja e vendit”.

“LDK’ja nuk pranon që të ketë vende të rezervuara ose t’u vazhdohet edhe një mandat ose dy ose tre”.

“Ne e kemi thënë, edhe sot po e përsëri asnjë arsye nuk shohim  që të vazhdojë edhe për një mandat apo edhe më tepër  të vazhdojnë mandatet e rezervuara për komunitetet, si LDK ky është qëndrimi ynë dhe këtë qëndrim do ta mbajmë,  ne nuk do të votojmë diçka të tillë”.

“Nuk pranojmë të ndryshohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe asgjë që ka të bëjë me ndryshimin e Kushtetutës, LDK`ja nuk do të pranojë”.

“Ne nuk pranojmë që të ndryshohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës, është e rrezikshme është e panevojshme dhe e papranueshme që kjo të ndodh, sepse është vendi i cili më së shumti u garanton komuniteteve liri dhe të drejta”.